Kolumbi, rrëzohet avioni me 81 persona në bord, brenda ekipi brazilian i futbollit

29.11.2016 13:54

Pesë të mbijetuar dhe 76 viktima është ky bilanci tragjik....

Pesë të mbijetuar dhe 76 viktima është ky bilanci tragjik që vjen pas përplasjes së një avioni çarter në Medellin të Kolumbisë, në të cilin po udhëtonte ekipi brazilian i futbollit, Çapekoense, gazetarë, si dhe anëtarë të stafit teknik të klubit.

Mjeti fluturues ishte nisur nga Bolivia, por ka raportuar për një problem teknik afro 50 kilometër larg qytetit kolumbian, e më pas është rrëzuar.

Terreni malor ku u përplas avioni i vështirësoi edhe më shumë operacionet e shpëtimit.

Nga radhët e personave që ndodheshin në bord, nëntë persona ishin anëtarë të ekuipazhit, 21 të tjerë ishin gazetarë dhe përfaqësues të medias, ndërkohë që pjesa tjetër përbëhej nga lojtarët, trajnerët dhe anëtarët e stafit teknik të skuadrës braziliane të futbollit, Çapekoense.

“Kjo është një tragjedi e përmasave të mëdha”,- tha kryetari i Medellinit, Federico Gutierrez.

Ky ekip do të luante në finalen e Kupës Sudamerikane ditën e mërkurë kundër skuadrës vendase Atletiko Nacional. Për t’u theksuar është gjithashtu fakti se lojtarët dhe stafi i Çapekoense po zhvillonin një prej sezoneve më të mira në historinë e klubit, gjë që ka prekur edhe miliona sportdashës në mbarë botën, pasqyruar kjo në komentet që ata kanë bërë në rrjetet sociale.

Ndërkohë, për shkak të tragjedisë bëhet me dije se është anuluar gjithashtu luajtja e finales së Kupës Sudamerikane.

Mjeti fluturues mësohet të jetë përplasur në një zonë malore, gjë që i vështirësoi edhe më shumë operacionet e kërkim-shpëtimit. Deri më tani autoritetet kanë raportuar se në radhët e të mbijetuarve përfshihen dy portierët e skuadrës, Danilo dhe Follman, dhe lojtari mbrojtës, Rashel, por për informacione më të sakta do të duhet të pritet një tjetër komunikatë zyrtare.