Gruevski: Opozita me premtime joreale
VMRO-DPMNE dhe “Koalicioni për Maqedoni më të mirë”...

VMRO-DPMNE dhe “Koalicioni për Maqedoni më të mirë” nga tubimi në Veles ka kërkuar nga qytetarët të bëjnë përzgjedhjen se me kë do ta kenë më mirë në të ardhmen. Po ashtu lideri i kësaj partie, Nikolla Gruevski, kërkoi fitore me 63 deputetë për, siç u shpreh ai, të marrë fund kriza politike që po e preokupon vendin për më tepër se dy vite. Ai njëherit theksoi se opozita po jep premtime joreale, siç është rasti me kthimin nga 500 euro në vit për çdo familje nga TVSh-ja.
“Nga ajo që e krijuam deri tani, papunësia u zvogëlua nga 38, 7 në 24%. Me hapjen e 160 mijë vende të punës, nga të cilat 39 mijë në dy vitet e fundit në kohë krize, investimet e huaja direkte kanë arritur në 2 miliard e 600 milion euro. U aplikua edhe paga minimale, e cila në të kaluarën nuk ekzistonte. LSDM refuzonte të aplogojë pagën minimale. E dëgjuam njërin nga premtimet se do të kthenin nga 15% të TVSh-së dhe në atë mënyrë qytetarët do të fitonin edhe nga 500 euro plus për familje, ndërsa thanë se pagën minimale do ta bënin 500 euro. Tërë kjo në fillim tingëllonte komike, por tani aq gjatë atë e flasin, saqë në fund themi tua paraqesim llogaritjen qytetarëve. Që të arrihen ato 500 euro, a e dini sa duhet të harxhojë ai njeri çdo muaj që në fund të vitit të arrijë të marrë 500 euro? Çdo njeri duhet të harxhojë të paktën 2 mijë euro, në fund t’i marrë ato 500 euro”,- deklaroi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski.
Gruevski njëherit theksoi se qytetarët dinë të bëjnë dallimin mes premtimeve të rrejshme dhe projekteve të realizueshme. “Ju e dini se kush mundet të punojë më tepër për ju dhe ta përmirësojë standardin tuaj, kush e vendosi dhe kur u rrit rroga minimale dhe në kohën e kujt rroga mesatare arriti nga 13 mijë denarë deri në 23 mijë denarë. Kush plotësoi numër të madh të marrëveshjeve të arritura me sindikatat në interesin tuaj, kush ka hapur më shumë vende pune, që ka ndikuar dhe do të ndikojë drejtpërdrejtë në rritjen e rrogave në sektorin privat në Maqedoni”,- tha Gruevski.
Të pranishmëve në tubimin e koalicionit të VMRO-DPMNE-së në Veles iu drejtua edhe bartësi i listës në njësinë e tretë zgjedhore, Ilija Dimovski, i cili theksoi se në kohën e VMRO-së është rritur numri i të punësuarve në Veles për mbi 5 mijë persona.
“Kur LSDM u largua nga pushteti në Veles, në punë shkonin saktësisht 9 mijë e 800 e 31 persona. Nga një qytet kaq i madh, vetëm 9 mijë e 800 e 31 persona shkonin në punë. Sot në Veles në punë shkojnë 15 mijë e 500 e 79 bashkëqytetarë tanë. Dallimi është i dukshëm. Në kohën e LSDM-së u mbyllën fabrikat, në kohën e VMRO-së po hapen fabrikat. Në kohën e LSDM-së kishte punëtorë të falimentuar, në kohën e VMRO-së njerëzit shkojnë në punë. Në kohën e LSDM-së kishte tepricë teknologjike, në kohën e VMRO-së u jepen subvencione bashkëqytetarëve tanë”,- theksoi bartësi i listës në njësinë e tretë zgjedhore, Ilija DImovski.
VMRO-DPMNE dhe koalicioni paralajmëruan rritjen e pensioneve me anë të disa masave. Po ashtu u premtua edhe hapja e 70 mijë vendeve të reja të punës dhe rritjen e rrogave në sektorin publik për 10, 25%. (Gyltene Sinani, TVM2)
