SAShK-u: Para se të akuzojë, MPPS duhet të ketë fakte

29.11.2016 16:02

Sindikata e Pavarur për Arsim, Shkencë dhe Kulturë ka përshëndetur...

Sindikata e Pavarur për Arsim, Shkencë dhe Kulturë ka përshëndetur tërheqjen e njoftimit për vendosjen e orarit të punës fiks prej tetë orëve në institucionet për fëmijë. Sipas SAShK-ut, Ministria për Punë dhe Politikë Sociale para se të akuzojë edukatoret se po lënë pas dore fëmijët për t’u bërë pjesë e fushatës politike, duhet të dalë me fakte konkrete.

“Është absolutisht e papranueshme që ministrja e resorit përgjegjës për respektimin e ligjeve, papritmas të suspendojë ligjet, marrëveshjen kolektive dhe aktet nënligjore. Në vend të dialogut kontruktiv me partnerët socialë, Ministria për Punë dhe Politikë Sociale doli me spekulime se një numër i madh të punësuarish në kopshtet e fëmijëve angazhohen nëpër mitingjet e partive politike dhe i lënë kopshtet pa personel adekuat. Ne kemi kërkuar fakte konkrete për këto pohime skandaloze”,- deklaroi kryetari i SAShK-ut, Jakim Nedellkov.

Nedellkov i është përgjigjur edhe akuzës së ministres Remenski se SAShK-u në vend që t'i mbrojë interesat e anëtarëve, punon për partinë në pushtet.

“As kryetari i SAShK-ut, as ndonjë anëtar, nuk bëjnë pjesë në asnjë parti politike. Ndryshe nga ne, ministrja për Punës dhe Politikës Sociale është anëtare e një partie politike”,- theksoi kryetari i SAShK-ut, Jakim Nedellkov.

Nedellkov pyet nëse do të mbajë dikush përgjegjësi për situatën e krijuar dhe a do të kompensohen ata për punë jashtë orarit që kanë bërë. (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)