Maqedoni
Këshilli veriatlantik pro zgjerimit të BE-së
30.04.2014 18:17
Evropa asnjëherë nuk do të jetë e plotë dhe e lirë pa integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në NATO dhe në Bashkimin Evropian...

Evropa asnjëherë nuk do të jetë e plotë dhe e lirë pa integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në NATO dhe në Bashkimin Evropian.
Ky ka qenë konkluzioni nga konferenca e Këshillit Veri-atlantik në Washington, ku po marrin pjesë ministra të 13 vendeve anëtare të NATO-s dhe ministra të vendeve aspirante.
Disa muaj përpara mbajtjes së samitit të NATO-s, funksionarë të lartë amerikan, si dhe vendet anëtare të NATO -s,me theks të veçantë Shqipëria dhe Bullgaria, dhanë përkrahje të fuqishme ndaj anëtarësimit të Maqedonisë në NATO, në samitin e shtatorit, një fakt të tillë të cilin e pohoi edhe ministri i Jashtëm, Nikolla Popovski.
“Me rëndësi ishte mesazhi i sekretarit Keri, por edhe i vendeve anëtare të NATO-s, me theks të veçantë i Shqipërisë dhe Bullgarisë, ku ministrat e vendeve fqinjë dhanë porosi të qartë se janë të përkushtuar të realizojnë qëllimin e Evropës së bashkuar”, deklaroi ministri i Jashtëm, Nikolla Popovski.
Popovski ka realizuar takim edhe me sekretarin amerikan të shtetit, Xhon Keri, i cili i ka konfirmuar përkushtimin e Washingtonit për vizionin e Evropës së lirë dhe të bashkuar.
“Kanë kaluar 15, 10 dhe 5 vite që kur NATO ju ka dëshiruar mirëseardhje partnerëve të rinj nga era e luftës së ftohtë. Ashtu siç zgjerohet NATO si organizatë, sigurisht se bashkë me të zgjerohet demokracia, prosperiteti dhe stabiliteti në Evropë”, u shpreh sekretari amerikan i shtetit, Xhon Keri.
Në këtë konferencë funksionarë dhe ekspert amerikan kanë konkluduar se kriza në Ukrainë është sinjal për zgjerimin e NATO-s me vende të reja ballkanike. Mbetet që te gjitha vendet anëtare të NATO-s, përfshirë edhe Greqinë, të respektojnë ligjin ndërkombëtar ndaj shteteve tjera.
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU
