Maqedoni
Vizita e Kurc në Shkup, MPA: nuk përfaqëson Austrinë, por PEP-në; Svoboda: zgjedhje të lira, jo mbështetje nga ministra Vizita e Kurc në Shkup, kritikohet edhe nga ekspertët europianë
29.11.2016 17:03
Vizita e shefit të Diplomacisë austriake, Sebastian Kurc, në Maqedoni dhe pjesëmarrja në mitingun parazgjedhor të VMRO- DPMNE-së në Shkup...

Vizita e shefit të Diplomacisë austriake, Sebastian Kurc, në Maqedoni dhe pjesëmarrja në mitingun parazgjedhor të VMRO- DPMNE-së në Shkup, është përcjellë me kritika të ashpra.
Fillimisht, Ministria e Jashtme e Austrisë ka sqaruar se Kurc në miting ka marrë pjesë jo si përfaqësues i diplomacisë austriake, por si përfaqësues i Partisë Evropiane Popullore, anëtare e së cilës është Partia Popullore e Austrisë njësoj si VMRO-DPMNE.
Ministria e Jashtme austriake shton se gjendja në Maqedoni nuk mund të vëzhgohet njëanshëm, por gjithsesi se është e domosdoshme që edhe VMRO-DPMNE dhe LSDM të ndërmarrim reforma.
Edhe ish shefi i socialdemokratëve në Parlamentin Evropian, Hanes Svoboda, shprehi keqardhje për pjesëmarrjen e Kurc në tubimin e VMRO-DPMNE-së.
“Është koha që Maqedonia të bëjë hapa përpara në vlerat evropiane. Për këtë, është për të ardhur keq që ministri Kurc i mbështeti ata që janë përgjegjës për situatën e rëndë në të cilën gjendet shteti. Maqedonisë i duhen zgjedhje të lira, pa ndikim nga ministria apo qeveri të huaja”,- thuhet në njoftimin e Svobodës.
Kritika për Kurc erdhën edhe nga komuniteti i ekspertëve.
“Respektimi i sundimit të së drejtës a bëhet irelevant kur bëhet fjalë për ndalimin e migrantëve?”,- pyeti nëpërmjet twiterit nënkryetari i Iniciativës Evropiane për Stabilitet, Kristof Bender.
Mbështetjen e Kurc dhënë VMRO-DPMNE-së e ka aktualizuar edhe gazeta “Standard”. Në titull të shkrimit thuhet se “Kurc ka reklamuar partinë kontestuese në Maqedoni”.
“Vitet e kaluara Maqedonia nën udhëheqjen e VMRO-së dhe Nikolla Gruevskit shkoi në drejtim autoritar. Publikimi i bisedave të përgjuara tregoi se si Gruevski pushtoi shtetin ligjor, shtypi mediat e lira, polarizoi administratën, falsifikoi zgjedhjet dhe instrumentalizoi shërbimet e sigurisë”,- shkruan gazeta, duke theksuar se asgjë nga kjo nuk u dëgjua në fjalimin e Kurc.
Gazeta “Standard” publikoi edhe porosinë e ekspertit të Evropës juglindore, Florijan Biber, të shkruar në twiter për Kurc: “Turp, mbështetni një person autoritar”.
MERAL ISMAILI
