Maqedoni
BDI: barazi ekonomike dhe vendimmarrje konsensuale
29.11.2016 17:18
Kandidatët për deputetë dhe funksionarë të BDI-së kanë prezantuar sot në Shkup para studentëve platformën politike të BDI-së...

Bartësi i listës së BDI-së në njësinë e dytë zgjedhore, Ejup Alimi, tha se studentët janë shtresa më e çmuar e popullit shqiptar pa të cilët nuk mund të paramendohet e ardhmja.
Sipas tij, në të kaluarën studentët duhej t’i kërkoje në Tiranë apo Prishtinë, dhe është kënaqësi që sot ata i gjen në Shkup, Tetovë, e kudo në qytetet shqiptare të Maqedonisë.
Universitetet shqiptare në Maqedoni tani përgatisin të ardhmen e sigurt për çdo familje shqiptare, të ardhmen e sigurt për shoqërinë shqiptare, tha Alimi.
Sipas tij, BDI ka investuar pikërisht që të ndërtohen kapacitete që të rinjtë të kenë të ardhmen në vendin e tyre dhe shoqëria shqiptare të mbështetet pikërisht tek rinia e saj. BDI ka prezantuar para studentëve shtyllat kryesore të platformës politike.
“Ne do bisedojmë për të gjitha shtyllat tona që janë: vendimmarrja konsensuale, barazia ekonomike e shoqërisë shqiptare, pasi që është bërë një padrejtësi shumë e madhe 50 vitet e kaluara. Ne gjatë mandateve të kaluara kemi ndërtuar kapacitete që me forcat tona të arrijmë edhe barazinë ekonomike edhe vendimmarrjen konsensuale. Deri tash kemi udhëhequr me komisionin politik nga viti 2002 deri më tani, nga mandati që vjen ne do të udhëheqim me komisionin ekonomik në qeveri për ta arritur një barazi ekonomike për të gjithë shqiptarët. Kemi ndërtuar kapacitet të resurseve njerëzore, jeni dëshmitarë vetë që qeverisja e BDI-së ka bërë të mundshme hapjen e Zonës Ekonomike në Tetovë, hapjen e zonave të lira ekonomike në Strugë dhe Kërçovë, tani vendimi i qeverisë është edhe për hapjen e zonës ekonomike në Likovë. Kështu që jemi dëshmuar me punën tonë se dimë të dalim përballë çdo sfide që tangon shoqërisë. Patjetër se do vazhdojnë edhe projektet infrastrukturore, siç është autostrada Shkup-Bllacë, pika kufitare Sllupçan –Bellanoc, vetëm jemi dëshmitarë se si punohet në mënyrë intensive rruga regjionale Haraçinë- Likovë, është investuar në fazën e parë dhe fazën e dytë, kurse faza e tretë parashihet të përmbyllet në vitin 2017. Rruga regjionale Haraçinë-Kumanovë-Çerkez edhe tek ajo faza përfundimtare është investuar… Ne kemi dhënë raport për çdo punë tonën që e kemi bërë gjatë qeverisjes së kaluar, kemi diku mbi 1100 projekte të realizuara të cilat i kemi raportuar në çdo komunë, në çdo qytet dhe në çdo lagje të qyteteve të ndryshme”,- u shpreh bartësi i listës në njësinë e dytë zgjedhore nga BDI, Ejup Halimi.
Ministri i Ekonomisë, Driton Kuçi, i siguroi të rinjtë se BDI do të vendosë kushte të prera për pjesëmarrje në qeverinë e ardhshme.
“Zhvillimi i barabartë ekonomik në të gjitha territoret e vendit, për këtë qëllim propozojmë krijimin e: këshillit për zhvillim të barabartë rajonal me vendim qeverie, që do të udhëhiqet nga kuadro të BDI-së; Kusht për krijimin e qeverisë së ardhshme do të jetë agjencia për rrugë shtetërore, si garantues për shpërndarjen e investimeve kapitale, të udhëhiqet me kuadro të BDI-së; Krijimi i një mekanizmi për miratimin me konsensus të buxhetit ende në procedurë qeveritare për konsensualitet të plotë mbi çështjet ekonomike, që do të garantojë ekuilibrin e barazisë ekonomike; Të gjitha investimet kapitale dhe afati i zbatimit të tyre do të bëhen me konsensus të dy komuniteteve në vend, komuniteti maqedonas dhe komuniteti shqiptar”,- deklaroi ministri i Ekonomisë, Driton Kuçi.
Nga BDI thonë se nuk do të hyjnë në qeverinë e ardhshme pa u plotësuar të gjitha kushtet, ku dy ndër to janë: asgjë më pak se barazia e plotë ekonomike dhe vendimmarrja konsensuale.
GAZMEND KURTISHI
