Maqedoni
Prokuroria Publike Speciale: kemi të drejtë për lëndët që lidhen me përgjimet
29.11.2016 17:41
Prokuroria Speciale ka reaguar ndaj vendimit të Këshillit të Prokurorëve për mosdhënien në shqyrtim të lëndës për rastin “Sopoti”...

Prokuroria Speciale ka reaguar ndaj vendimit të Këshillit të Prokurorëve për mosdhënien në shqyrtim të lëndës për rastin “Sopoti”, edhe pse kërkesa për marrjen e kësaj lënde nga PPS është bërë në bazë të materialeve nga bisedat e përgjuara, për të cilat PPS është kompetente.
Kërkesa deri te Prokuroria Themelore për marrjen e këtij rasti nga ana e PPS-së është dorëzuar më 4 nëntor, me qëllim që të vërtetohet nëse e njëjta është ose jo në kompetenca të Prokurorisë Speciale.
“Kërkesa e dorëzuar kundër të akuzuarve të rastit “Sopoti” është e lidhur me përmbajtjen dhe me veprat penale të cilat dalin nga përmbajtja e bisedës, e cila ka të bëjë më rastin e lartpërmendur. Duke pasur parasysh bisedën e përgjuar, e kemi për detyrë ligjore që ta kërkojmë këtë lëndë, me qëllim që të deklarohemi për kompetencat tona ndaj të njëjtës. Sipas Ligjit për Prokurori Speciale, puna jonë ka të bëjë me kohën se kur janë realizuar përgjimet dhe jo kur ka ndodhur ndonjë ngjarje e caktuar”,- thonë nga Prokuroria Speciale.
Në procesin gjyqësor “Sopoti”, 11 shqiptarë u dënuan me 156 vite burg. Ata në vitin 2010 u liruan nga burgu, por edhe sot e kësaj dite enden nëpër gjykata në kërkim të vendimit të pafajësisë.
Procesi gjyqësor pritet të rifillojë nga fillimi, për shkak se nga rasti është tërhequr gjykatësi, Jani Nica, dhe ende nuk është caktuar gjykatësi i ri.
GAZMEND REXHEPI
