Maqedoni
Opozita maqedonase drejt mospranimit të mandateve
30.04.2014 18:22
Lidhja Social-Demokrate e Maqedonisë në mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit Ekzekutiv...

Lidhja Social-Demokrate e Maqedonisë në mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit Ekzekutiv, mbrëmë ka vendosur që të mos i pranojë mandatet e deputetëve.
Një vendim të tillë duhet ta verifikojë edhe Këshilli Qendror Partiak. Në kumtesën e kësaj partie thuhet se mbrëmë është vendosur që të mos parashtrojnë vërejtje për parregullsi, për shkak se nuk e njohin rezultatin e zgjedhjeve.
Në të kaluarën, para dhe në ditën e zgjedhjeve, kemi shtruar 170 vërejtje të ndryshme dhe të gjitha ato ose janë refuzuar ose askush për ata nuk ka reaguar”, thuhet në kumtesën e LSDM-së.
Propozimit të LSDM-së për Qeveri teknike dhe dorëzim të mandateve, mbështetje të parezervë i ka dhënë edhe PRSD-ja e Tito Petkovskit.
“Këtij pushteti diktatorial nuk i duhet opozitë në Parlament që do t’i pengojë në realizmin e politikës së dhunës për mbivotim. PRSD-ja dhe opozita e bashkuar ia lënë parlamentin VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së, ashtu si mendojnë dhe ta dërgojnë atje ku duan. Ne me 3-4 mandate nuk mund t’i ndalojmë”, deklaroi kryetari i PRSD-së, Tito Petkovski.
Por kreu i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, duke e vlerësuar si të dëmshëm këtë vendim të opozitës, shpreson se LSDM-ja do të ndryshojë qëndrimin.
“Vlerësoj se është një vendim i dëmshëm për Shtetin dhe i dëmshëm për vetë partinë që duhet ta bartë. Partia ende ka kohë deri në formimin e Parlamentit për vendimin”, tha kryeministri Nikolla Gruevski.
Ndërsa euroambasadori Aivio Orav, sot nuk ka komentuar qëndrimin e LSDM-së, por vetëm u thirr në komunikatën e djeshme të përbashkët të BE-së dhe SHBA-ve, duke thënë se nga afër ndjek zhvillimet e situatës zgjedhore në vend.
AFRIM TANALLARI
