Maqedoni

BDI konteston rezultatin e diasporës

30.04.2014 18:26

Bashkimi Demokratik për Integrim ka vërejtje serioze për mënyrën e votimit në diasporë, SHBA, Evropë dhe Austral...

Bashkimi Demokratik për Integrim ka vërejtje serioze për mënyrën e votimit në diasporë, SHBA, Evropë dhe Australi, ku rreth 3000 bashkatdhetarë tanë të cilët ishin të pajisur me të drejtën e votës, rezultuan të fshirë nga regjistri i votuesve.
 
Për këtë qëllim BDI do të shfrytëzon të gjitha mjetet që ka në dispozicion për të mbrojtur vullnetin politik të mërgimtarëve shqiptarë.
 
Kështu u shpreh kryetari i shtabit zgjedhor për diasporën, Izet Mexhiti, duke shtuar se BDI veç më ka parashtruar ankesën deri te Komisioni Zgjedhor. 
 
“Zgjedhjet e 26 prillit u zhvilluan të shoqëruara nga manipulime dhe ndërhyrje në regjistrin e votuesve në dëm të mërgimtarëve shqiptarë. Rreth 3000 bashkatdhetarë tanë, të cilët ishin të pajisur me të drejtën e votës, rezultuan të fshirë në mënyrë skandaloze nga regjistri i votuesve, duke qenë të privuar nga e drejta kushtetuese e votimit. Përse dhe kush i fshiu ata, duhet të përgjigjet KSHZ. Sikur të mos mjaftonte kjo, e gjithë infrastruktura institucionale që nga MPJ-ja dhe deri te disa ambasada, u vunë në funksion të kandidatit të një partie politike, duke krijuar kushte të pabarabarta për një fitues të paracaktuar”, deklaroi kryetari i shtabit zgjedhor për diasporën, Izet Mexhiti.
 
Izet Mexhiti gjithashtu tha se këtë proces të padrejtë e kanë ndihmuar edhe partitë oponente shqiptare, PDSH dhe RDK, me të vetmin qëllim, përçarjen e votës shqiptare në diasporë.
 
“Këto përpjekje për të dëmtuar kandidatët shqiptarë me mbështetje më të gjerë në diasporë, fatkeqësisht u ndihmuan edhe nga oponentët tanë shqiptarë, PDSH dhe RDK, të cilët përkundër faktit se nuk zhvilluan as një ditë fushatë dhe nuk regjistruan asnjë mërgimtarë, nxorën kandidat me të vetmin qëllim, përçarjen e votës shqiptare në interes të partive maqedonase”, tha kryetari i shtabit zgjedhor për diasporën, Izet Mexhiti.
 
Sipas Mexhitit, arsye tjetër për t’u përsëritur procesi zgjedhor në diasporë janë edhe 450 votuesit e Pustecit, të cilët kanë votuar në rrethana të dyshimta në Tiranë, të cilët janë furnizuar me letërnjoftime në një hotel përballë Ambasadës. 
 
BESIM ABDULLAI