Maqedoni
Shefi i CIA paralajmëron Trump për Rusinë
30.11.2016 10:52
Në kushtet kur Shtetet e Bashkuara ndodhen në një periudhë tranzicioni pushtetesh, shefi i CIA-s, John Brennan..

Në kushtet kur Shtetet e Bashkuara ndodhen në një periudhë tranzicioni pushtetesh, shefi i CIA-s, John Brennan, ka paralajmëruar Presidentin e zgjedhur amerikan, Donald Trump por edhe të gjithë administratën e re që të bëjnë kujdes nga premtimet që do të marrin nga ana e Rusisë.
Sipas tij, Moska do të mbrojë gjithmonë interesat e saj kombëtare, paçka se shpesh herë ka shkelur interesat e qytetarëve në vendet ku ka operuar. Brennan u shpreh gjithashtu se duke parë të shkuarën, Rusia në shumicën e rasteve nuk i është përmbajtur premtimeve që ka dhënë.
“Rusia është një vend që do të mbrojë gjithmonë interesat e saj kombëtare të cilët shpesh herë bien ndesh me interesat e qytetarëve në vendet që ajo operon. Rrjedhimisht, mendoj se Presidenti i zgjedhur Donald Trump dhe e gjithë administrata e re, duhet të bëjë kujdes nga premtimet e Moskës. Këto premtime, në gjykimin tim nuk janë përmbushur asnjëherë”.
Më tej, shefi i inteligjencës është prononcuar edhe për marrëveshjen nukleare të arritur me Iranin. Ai u shpreh se nëse Trump do të anulojë këtë akord, kjo për të do të përbënte një veprim shkatërrimtar.
Brennan shkoi edhe më tej duke e cilësuar këtë ide si kulmin e marrëzisë. Marrëveshja e Iranit u arrit pas negociatave që patën përfaqësuesit iranianë me vendet anëtare të vendet anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të cilat janë Shtetet e Bashkuara, Kina, Rusia, Franca dhe Britania.
Në bisedime morën pjesë gjithashtu Gjermania që nuk është anëtar i përhershëm i këtij institucioni si dhe përfaqësues të Bashkimit Evropian. Irani pranoi që të kufizonte ambiciet për zhvillimin e armëve bërthamore në këmbim të shfuqizimit të sanksioneve ekonomike që rëndonin mbi të./Ora News
