Maqedoni
Sela: Qëllimi ynë, mposhtja e partive maqedonase
30.11.2016 12:30
“Aleanca për Shqiptarët”, mbrëmë shpalosi platformën e saj para banorëve të komunës së Tearcës...

Bartësi i listës në njësinë e gjashtë zgjedhore, kryetari i LR-PDSh-së, Ziadin Sela, ka theksuar se qëllimi i “Aleancës për shqiptarët” është mposhtja e partive maqedonase.
“Bashkimi i shqiptarëve nuk përfundon këtu, me këtë aleanca që kemi bërë për shqiptarët, ne do vazhdojmë në kuadër të aleancës t’i bëjmë pjesë të gjithë subjektet politike, të cilët do të kenë deputetë në parlament pas zgjedhjeve. Sepse ne jemi të interesuar për të krijuar një bllok politik shqiptar të fortë, i cili do të përballet me bllokun politik maqedonas në emër të një platforme dhe një ideje. Keni dëgjuar shpesh nga kundërshtarët tanë, nga blloku politik shqiptar, duke theksuar se do të fitojmë këtë apo atë subjekt politik. Cilin e fitojnë ata? BDI-ja-PDSh-në, PDSh-ja-BDI-në, “Aleanca për Shqiptarët”-BDI-në dhe PDSh-në, këto të njëjtat a janë të gatshme të fitojnë VMRO-në dhe LSDM-në. “Aleanca për shqiptarët” nuk është e interesuar që të fitojë shqiptarët, “Aleanca për shqiptarët” është e interesuar për t’i bërë fitimtarë të gjithë shqiptarët, pa marrë parasysh bindjet politike, “Aleanca për shqiptarët” do ta fitojë Nikolla Gruevskin, Sasho Miallkovin, Gordana Jankullovskën dhe VMRO-DPMNE-në”,- deklaroi kryetari i LR-PDSh-së, Ziadin Sela.
Sipas tyre, shqiptarët përmes taksave, kontributeve dhe transfereve të diasporës kontribuojnë shumë në buxhetin e Maqedonisë, por në këmbim marrin shumë pak dhe kjo për faj të përfaqësimit të dobët në parlament.
Investimet kapitale në nivel vjetor janë vetëm 5 deri 7 milion euro, që nuk mjaftojnë as vetëm për mirëmbajtje të objekteve ekzistuese.
Kjo do të ndryshojë më 11 dhjetor, tha kandidati për deputet në njësinë e 6 zgjedhore nga “Aleanca për shqiptarët”, Agon Ferati.
Nga ky koalicion premtuan zhvillim ekonomik, vende të reja pune, investime dhe rritje të standardit jetësor.
VISAR SADIKI
