Maqedoni

KSHZ nuk pranoi asnjë ankesë

30.04.2014 18:31

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve hodhi poshtë të gjitha ankesat e partive politike pjesëmarrëse në zgjedhjet...

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve hodhi poshtë të gjitha ankesat e partive politike pjesëmarrëse në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 27 prillit.
 
Me katër vota kundër, një për dhe dy abstenime, Komisioni hodhi poshtë ankesën e BDI-së për vendvotimin 5001, përkatësisht për vendvotimin në Tiranë. Komisioni nuk pranoi as ankesën që BDI pati parashtruar për parregullsitë në njësinë zgjedhore shtatë.
 
Këtë ankesë e mbështeti vetëm nënkryetari, Subhi Jakupi, ndërsa votave kundër iu bashkëngjit edhe anëtari i propozuar nga PDSH, Bedredin Ibrahimi.  
 
Me gjashtë vota kundër dhe vetëm një votë pro, u hodhën poshtë gjashtë ankesat e PDSH-së, e cila kërkonte përsëritjen e votimit në Tetovë, Butel, Likovë, Kërçovë, Cucer Sandevë dhe Strugë.  
 
Edhe katër ankesat e Opsionit Qytetar për Maqedoni nuk morën mbështetjen e Komisionit. Për vendimet e KSHZ-së, partitë mund të ngritin procedurë deri te Gjykata Administrative, e cila duhet të përgjigjet në afat prej 48 orësh.
 
Në ndërkohë, Komisioni shpalli rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve presidenciale, duke e shpallur fitues kandidatin e VMRO-DPMNE-së, Gjorge Ivanov, për një mandat të dytë.
 
“Në bazë të rezultateve, për president të Republikës së Maqedonisë është zgjedhur Gjorge Ivanov, i propozuar nga 55 deputet. KSHZ do t’i japë certifikatë z. Ivanovit“, deklaroi kryetari i KSHZ-së, NIkolla Rillkovski.
 
Sipas rezultateve përfundimtare, kandidati i VMRO-DPMNE-së, Gjorge Ivanov, ka fituar 534. 910 vota, ndërsa Stevo Pendarovski i LSDM-së ka marrë 398.077 vota. Në raundin e dytë të këtyre zgjedhjeve kanë votuar 967.695 votues, prej 1.779.572 votuesve të regjistruar në listën zgjedhore. 
 
SHPËTIM NUREDINI