Maqedoni
VMRO-DPMNE në Tetovë, Gruevski: S’kemi nevojë për kantonizim
30.11.2016 13:20
Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, nga sheshi i Tetovës mbrëmë ka shprehur optimizëm se partia e tij në zgjedhjet e 11 dhjetorit...

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, nga sheshi i Tetovës mbrëmë ka shprehur optimizëm se partia e tij në zgjedhjet e 11 dhjetorit do të dalë fituese si pasojë e projekteve të realizuara dhe përkushtimit ndaj qytetarëve dhe shtetit, si dhe mbajtjes së premtimeve të dhëna në të kaluarën.
Sipas Gruevskit, vendi nuk ka nevojë për kantonizime dhe dygjuhësi në mbarë shtetin, siç premton lideri i LSDM-së, Zoran Zaev.
Kjo, sipas Gruevskit, nuk shkon në të mirën e askujt në këtë shtet. Zgjedhjet, sipas kreut të VMRO-DPMNE-së, duhet të paraqesin referendum për një Maqedoni të fortë ekonomikisht dhe jo për kantonizime.
Përpos projekteve të realizuara, Gruevski para tetovarëve paralajmëroi edhe aktivitete të reja me qëllim zhvillimin e Tetovës.
“Kjo nuk na duhet ne, pasi që kemi një shtet sovran në të cilin kërkojmë zgjidhje për të gjitha problemet që paraqiten, ndërkaq me kantonizim do të mbyllemi në vete dhe kjo nuk shkon në të mirën e askujt. Andaj, zgjedhjet e 11 dhjetorit janë referendum për një Maqedoni të fuqishme ekonomikisht, një Maqedoni sovrane, e jo për kantonizim dhe federalizim të shtetit, dhe dikush tjetër nga jashtë të na emërojë kryeministër dhe qeveri. Parashikojmë ndërtim dhe riparim të rrugës Saraj-Grupçin–Tetovë, si dhe rrugën Tetovë-Kodra e Diellit, ndërkaq qendrën e skiimit në Tetovë do ta shndërrojmë në një nga qendrat më moderne në Ballkan. Do të investojmë edhe në infrastrukturën e ujësjellësit, si dhe fushave të tjera për përmirësimin e jetës së banorëve të kësaj ane”,- theksoi kryetari i VMRO–DPMNE-së, Nikolla Gruevski.
Bartësi i listës së “Koalicionit për një Maqedoni më të mirë” të kryesuar nga VMRO-DPMNE në njësinë e gjashtë zgjedhore, Vlladimir Gjorçev, ftoi edhe anëtarët e LSDM-së nga Tetova të dëshmojnë se e duan Maqedoninë të unifikuar dhe të plotë, dhe bashkërisht të mbrojnë rendin kushtetues të shtetit.
“Më 11 dhjetor të përsërisim idealet për të cilët të gjithë jemi betuar, ata janë idealet e partizanëve, komitëve dhe mbrojtësit e prosperitetit të Maqedonisë. Konceptet për ridefinim të shtetit dhe federalizimin e saj nuk ishin dhe nuk janë konceptet e Kiro Gligorovit, i cili shkroi librin “Maqedonia është gjithçka që kemi”, nuk ishte koncept i Bllagoj Hanxhiskit, Branko Cërvenkovskit, Ilinka Mitrevës, Nikolla Popovskit, Zoran Jovanovskit e të tjerëve. Andaj ftoj edhe anëtarët e LSDM-së bashkërisht të mbrojmë Maqedoninë, pasi që ata nuk janë armiqtë tanë politik, por oponentët tanë dhe ne e respektojmë çdo njeri”- u shpreh bartësi liste në njësinë e gjashtë zgjedhore nga VMRO-DPMNE, Vlladimir Gjorçev.
Të pranishmit në Tetovë i përshëndeti edhe deputeti i partisë demokratike në parlamentin italian, Xhuzepe Galati. Gjithashtu fjalime mbajtën edhe përfaqësues të partive të tjera, pjesë të “Koalicionit për një Maqedoni më të mirë”.
MERAL ISMAILI
