Zaev: Maqedonisë i duhet një qeveri e përgjegjshme

30.11.2016 14:07

LSDM dhe partnerët e koalicionit kanë mbajtur mbrëmë tubim në Dellçevë, ku kanë prezantuar platformën e tyre dhe listën e kandidatëve për deputetë në këtë njësi zgjedhore. Kreu i LSDM-së, Zoran Zaev, potencoi me këtë rast se kanë mbetur edhe 12 ditë deri në fillimin e realizimit të planit për Maqedoninë.

LSDM dhe partnerët e koalicionit kanë mbajtur mbrëmë tubim në Dellçevë, ku kanë prezantuar platformën e tyre dhe listën e kandidatëve për deputetë në këtë njësi zgjedhore. Kreu i LSDM-së, Zoran Zaev, potencoi me këtë rast se kanë mbetur edhe 12 ditë deri në fillimin e realizimit të planit për Maqedoninë.

Sipas tij, VMRO po i frikëson qytetarët duke plasuar idenë se LSDM do të ndryshojë Kushtetutën dhe do të kantonizojë apo federalizojë shtetin. Asgjë nga këto nuk do të ndodhë, por më 12 dhjetor do të ndodhë dënimi i këtij regjimi, tha Zaev.

“Për të përparuar na duhet një shtet i qëndrueshëm, me politika të qëndrueshme shtetërore dhe të ekonomisë. Maqedonia ka nevojë për një Qeveri të përgjegjshme, e cila do të nisë punën duke rregulluar nevojat e qytetarëve. Dëshirojmë Maqedonia të funksionojë si vendet e suksesshme të botës, prandaj e morëm më të mirën prej botës. Ky plan e frikëson kundërshtarin tonë politik, për shkak se ky plan siguron jetë për të gjithë në Maqedoni. Mjaft me vjedhjen e jetës! Ne do të marrim tani. Qenka hutuar Gruevski. Po flet për federalizim, kantonizim. Jo, do të ketë konfiskim, jo federalizim. Do ta konfiskojmë pronën e vjedhur për t’ia kthyer qytetarëve. Sa i përket Kushtetutës, ne kemi një Kushtetutë të shkëlqyeshëm, evropiane. Nuk do t’ia lejoj askujt që ta ndryshojë Kushtetutën. Kushtetuta do të respektohet, do të zbatohet! Kushtetuta nuk do të ndryshohet, rrini rehat, mos lejoni regjimit që të ju gënjejë për të siguruar edhe katër vjet pushtet, me qëllim t’u varfërojë ju, qytetarët, për të pasuruar veten. Ka shpresë për Maqedoni, për secilin prej nesh, prej jush, ndryshimet po ndihen. Ia vlente çdo viktimë, po e shkruajmë historinë, rrëzojmë regjimin, po sjellim jetën. Mendoni për mëngjesin e 12 dhjetorit, kur do të zgjoheni me shpresë dhe të lirë se po fillon jeta në Maqedoninë tonë”,- u shpreh kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.

LSDM ka si qëllim që të rrisë pagën mesatare në 30 mijë denarë, tha Zaev, duke shtuar se me dy rroga, një familje në Maqedoni nuk do të mbijetojë, por do të gëzojë jetën.

“Me pagë prej 30.000 denarësh   frigoriferët do të keni të mbushur, por jo me ushqime të konservuara, do të paguani rregullisht faturat tuaja duke mos u frikësuar ku t’i gjeni më pas paratë për faturat e mbledhura dhe për përmbaruesit që ju bllokojnë llogaritë. Do t’i gëzoni fëmijët me lodrën e preferuar, sepse s’do keni më frikë të kaloni para vitrinave të dyqaneve se nuk keni para. Nëse keni pagë mesatare prej 30.000 denarëve, do të mundeni pas pune të takoheni me miqtë për të pirë nga një kafe, në vend që ta blini pakon më të lirë me kafe për në shtëpi. Do ti zbukuroni dhomat e ditës dhe ato të fëmijëve, duke vendosur dritare që mbyllen mirë, që nuk lejojnë të fryjë erë, do të vendosni panela për ngrohje...”- tha Zaev.

Zaev gjithashtu shtoi se “nuk do të ketë më “nëse”. Për 12 ditë mbaron “nëse”. Për 12 ditë nisim ta realizojmë planin për jetë në Maqedoni”, tha Zaev.

“Nëse qytetarët kanë më shumë para, ata do të shpenzojnë më shumë duke mbushur kështu sërish buxhetin. Më shumë para në Buxhetin garantojnë jo vetëm pagën mesatare prej 30.000 denarësh dhe pagën minimale prej 16.000 denarësh, por do të ketë për shkollat, për ambulancat, për mësimdhënësit dhe mjekë, ata do të paguhen mirë, që do të sigurojnë edukim cilësor për fëmijën tuaj dhe të ketë shëndetësi të arritshme për të gjithë. Ky plan, i cili e ka bazën te vlerat evropiane, ky është një plan i paramenduar, bazohet në shkencë, histori dhe fakte”,- theksoi Zaev para qytetarëve të Dellçevës. (Farije Dauti-Bakiju, TVM2)