Thaçi: Shteti duhet t’ua kthejë borxhin shqiptarëve

30.11.2016 15:22

Partia Demokratike Shqiptare ka prezantuar mbrëmë para banorëve të Bogovinës....

Partia Demokratike Shqiptare ka prezantuar mbrëmë para banorëve të Bogovinës platformën dhe kandidatët për deputetë. Kryetari i partisë dhe bartësi i listës në njësinë e 6 zgjedhore, Menduh Thaçi, tha se PDSh tashmë disa vite ka bërë një ndryshim pozitiv në platformën e saj, ku parashihen të drejta politike, barazi ekonomike, si dhe vendimmarrje konsensuale.

Sipas Thaçit, maqedonasit me dekada të tëra iu kanë bërë diskriminim shqiptarëve në aspektin ekonomik, andaj ai u zotua se nëse PDSh vjen në pushtet, shqiptarët do të marrin hisen e tyre në buxhetin e shtetit, të cilin e mbushin përmes pagimit të taksave dhe nga paratë e emigrantëve. Përveç angazhimit për ndërprerjen e diskriminimit ekonomik, PDSh zotohet se do të miratojë dy ligje për amnisti.

Amnisti për të burgosurit në rastet e montuara dhe amnisti të përgjithshme fiskale apo falja të të gjitha borxheve që kanë shqiptarët ndaj shtetit.

“Me urgjencë do të sjellim ligj për faljen e të gjitha borxheve që kanë shqiptarët ndaj shtetit dhe këto borxhe janë një sasi shumë të vogël në raport me borxhin që ka shteti ndaj shqiptarëve dhe të gjithë konkurrentët politik, ironikët që mundohen të polimizojnë me projektin tonë, unë u përgjigjem në mënyrë të drejtpërdrejtë. U thonë popullit s’mund të bëjë ai këtë punë, s’është e vërtetë. E vërteta e madhe është se shteti duhet të na e kthejë borxhin. Ai borxh e ka vlerën mbi 1 miliard euro në vit, kurse ne shtetit i kemi borxh nga 25 euro, që na i kanë bërë në mënyrë të padrejtë me truçe të ndryshme në 700 euro, me kamata, dhe pas dy viteve vijnë përmbaruesit dhe e dëmtojnë keq ekonominë shqiptare. Ku të merr ai shqiptari që mezi siguron kafshatën e gojës dhe një kuaj dru në këtë të ftohtë, 1000 euro që e dënon pylltari apo polici. Ai duhet të shkon në burg dhe kjo i mbush burgjet, amnistia është e paraparë që ne në start ta shënojmë minusin e ekonomisë. E dyta, parapamja jonë që buxheti i shtetit t’u jepet shqiptarëve, nënkupton sjelljen e ekonomisë shqiptare në nivelin zero, më pas buxheti i dytë do ta përmirësojë infrastrukturën ku jetojnë shqiptarët dhe do të krijojë kushte perfekte infrastrukturore që këtu të vijnë investitorë të huaj, kapital i huaj, e cila është e vetmja zgjidhje e kësaj telashe të madhe ekonomike”,- u shpreh kryetari i PDSh-së, Menduh Thaçi.

Thaçi adresoi edhe kritika ndaj politikave të BDI-së, pasi, sipas tij, gjatë qeverisjes 15-vjeçare nuk ka mundur ta bëjë zyrtarizimin e plotë të gjuhës shqipe.

Thaçi premtoi se po i fitoi zgjedhjet, ai do të zë vendin e zëvendëskryeministrit dhe do të tregojë kujdes të posaçëm për shqiptarët, pasi është i bindur se shqiptarët duhet ta kenë njeriun e tyre përfaqësues në qeveri, zëvendëskryeministri ta ketë nënshkrimin e lidhur me kryeministrin që asnjë vendim i qeverisë të mos kalojë në finalizim pa në këto dy nënshkrime, ndërsa vendimmarrja e parlamentit për çështje mes shqiptarëve dhe maqedonasve të bëhet me konsensus e jo me mbivotim.

“Kemi nevojë për definicione të sakta. Si mundet për 15 vite me radhë të na thotë Ali Ahmeti e kam bërë gjuhën, sot të thotë se do ta bëjë gjuhën? Jo që nuk do, por nuk di. Bërja e gjuhës shqipe zyrtare sipas ekspertëve që më thonë kushton 440 milion euro, për shkak se nuk duhet unë të flas në sportele maqedonisht edhe shqip, por ai që është i punësuar në administratë të flet dhe të shkruaj maqedonisht edhe shqip. Sa njerëz duhet të punësojnë që e kanë shkollimin e lartë sipëror, që kanë vuajtur se janë njohësit me fakultet të gjuhës maqedonase dhe shqipe, me mijëra, sa kushtojnë ata, me qindra miliona euro, sa duhet të jetë rroga e këtyre njerëzve që përnjëherë kryejnë dy fakultete, dyfish më e madhe se sa e të tjerëve që kanë fakultete të tjera. Këtë e mora si shembull që në asnjë moment askush të mos mendojë se ka armiqësi të pashpjegueshme mes Menduh Thaçit dhe Ali Ahmetit dhe në mes BDI-së dhe PDSh-së. Të gjithë funksionarët e tanishëm që i kemi të BDI-së a po u thonë ne rrimë me kokën ulur, sepse nuk na bën hesap askush? Është e vërtetë kjo, po. T’u thoni kur të vijë PDSh-ja, kur të vijë Menduh Thaçi si zëvendëskryeministër edhe ju do ta ngrini kokën lartë”,- tha kryetari i PDSh-së, Menduh Thaçi.

Kreu i PDSh-së, Thaçi, tha se këto zgjedhje janë me rëndësi të madhe për shqiptarët për shkak se është në pikëpyetje integrimi i vendit në BE dhe NATO. Sipas tij, edhe ndërkombëtarët kanë dhënë mesazhin se kjo është qeveria më e kriminalizuar dhe më e korruptuar që ka pasur ky shtet, prandaj duhet të ikë, por për të ndodhur një gjë e tillë ai kërkoi votën për PDSh-në.

“Ne duhet të votojmë kundër kësaj qeverie, që të jemi bashkë me një rrugë me aleatët tanë të mëdhenj, ShBA-të, Evropën, Shqipërinë dhe Kosovën”,– deklaroi Thaçi.

Sa u përket partive tjera shqiptare që garojnë në zgjedhjet e dhjetorit, Thaçi u shpreh se këto parti dëmtojnë rëndë elektoratin shqiptar. Sipas tij, vota për këto partitë do të shkojë automatikisht për VMRO-DPMNE-në dhe LSDM-në, me çka shqiptarët do të humbasin numrin e deputetëve në Kuvendin e Maqedonisë. (Ersan Pajaziti, TVM2)