Maqedoni

Zgjedhjet 2016, Lëvizja “Besa”: pa ridefinim, në pikëpyetje ardhmëria e shtetit

30.11.2016 15:38

Lëvizja “Besa” mbajti mbrëmë tubimin e radhës në komunën e Sarajit, ku para të pranishmëve shpalosi platformën e saj dhe kandidatët për deputetë në njësinë e parë zgjedhore...

Kryetari i Lëvizjes “Besa”, Bilall Kasami, tha se nëse nuk zbatohet ridefinimi, e ardhmja e këtij shteti vihet në pikëpyetje.
 
Ai premtoi se ridefinimi nuk do të mbesë vetëm plan në letër, si shumë marrëveshje të tjera që kanë mbetur të tilla edhe pse kanë pasur nënshkrimet nga faktori ndërkombëtar. Ridefinimi do të jetësohet, premtoi Kasami.
 
“Ridefinimi i këtij shteti nënkupton edhe ridefinimin e sistemit juridik. E kemi thënë që nuk mund të ketë procese të montuara kundër shqiptarëve, drejtësia nuk do të jetë selektive, nuk do të lejojmë më që nënat dhe motrat tona të tërhiqen zvarrë korridoreve të gjykatave vetëm e vetëm që dikujt t’ia plotësojë epshin. Me ridefinim të gjithë do të jenë të barabartë”,- deklaroi kryetari i Lëvizjes “Besa”, Bilall Kasami.
 
Bartësi i listës në njësinë e parë zgjedhore, Zekirja Ibraimi, tha se nuk mundet që Rashçja të furnizojë gjithë Shkupin me ujë e të mos ketë ujë për banorët e vet.
 
“Nuk ka asnjë arsye të vetme që uji i Rashçës të mbërrijë në Radishan e të mos mbërrijë në fshatin Kopanicë. Vetëm ata që e kanë keqkuptuar definicionin e furnizimit me ujë arrijnë të bëjnë padrejtësi të tilla mbi popullatën shqiptare”,- tha bartësi i listës në njësinë e parë zgjedhore nga Lëvizja “Besa”, Zekirija Ibrahimi.
 
Sipas “Besës”, ridefinim do të thotë edhe kur për vendosjen e përmendoreve shqiptare të mos kërkohen të holla nga administrata apo afaristët e komunës së Sarajit, por të njëjtat të ndahen nga buxheti i shtetit.
 
Nëse shteti ka 1 miliardë euro për Filipin e Dytë apo Car Dushanin, do të ketë 100 mijë euro edhe për Isa Boletinin, thanë mbrëmë në Saraj drejtuesit e Lëvizjes “Besa”.
 
FARIJE DAUTI-BAKIJU