Maqedoni
Ahmeti: vendi rrezikoi të shndërrohet në anarki
30.11.2016 16:03
Bashkimi Demokratik për Integrim platformën e saj zgjedhore e ka prezantuar para banorëve të Prespës...

Kreu i BDI-së prespanëve u tha se subjekti që drejton ai gjithnjë është angazhuar për zgjidhjen e problemeve me të cilat përballen shqiptarët. Në këtë drejtim ai tha se ka shumë gjëra që kërkojnë zgjidhje, por situata e krijuar ka frenuar zgjidhjen e tyre.
Ndërkaq, mandatin e fundit ai e ka cilësuar si më të vështirin, pasi që, sipas tij, u shoqërua me një krizë të thellë politike për të cilën u angazhua edhe faktori ndërkombëtar.
“Ky mandat ishte një nga mandatet më të vështira, është një mandat me kaotikë, me krizë të thellë politike, që duhej një menaxhim me shumë kujdes, sepse gjërat nuk do të dilnin dhe do të shndërrohej vendi në një vend anarkie. U dashtë shumë energji që të mundej të vinte deri te një marrëveshje që rregullon gjërat për t’i futur në binarë për zgjidhje përfundimtare. Në vazhdimësi komuniteti ndërkombëtar ka ndihmuar dhe lehtësuar këtë vend për gjatë 15 viteve të fundit. Përsëri patëm një angazhim shumë serioz nga komisari për zgjerim, z. Han, ambasadori i ShBA-ve, Bejli, me çka lehtësuan këto negociata, arritëm marrëveshjen e Shkupit, e cila avancon edhe statusin e shqiptarëve në këtë vend, marrëveshje e cila duhet të respektohet nga të gjitha palët nënshkruese, sepse bëhet fjalë për imazhin e vendit, bëhet fjalë për procese të rëndësishme që e presin këtë vend, që të mos zvarritemi akoma më tutje në drejtim të zgjidhjes së temave të rëndësishme që kanë të bëjnë me NATO-n dhe BE-në”,- deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Ahmeti, duke ftuar elektoratin e vendbanimeve të Prespës për të përkrahur subjektin që drejton ai në zgjedhjet e 11 dhjetorit, numëroi edhe të arriturat që ka realizuar deri më tani.
Ai tha se nuk është punë e vogël të hapen 2 mijë vende pune brenda tre muajve të fundit vetëm në Strugë, Kërçovë, Tetovë, punimet në autostradën Kërçovë-Ohër-Qafthanë, themelimin e Universitetit “Nënë Tereza” dhe furnizimin me gaz të Pollogut, ndërsa tha se edhe shqiptarët ku janë pakicë kanë fituar dhe kanë bërë hap në drejtim të përfaqësimit të drejtë.
Duke folur për pjesëmarrësit në zgjedhjet e 11 dhjetorit, kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, ftoi prespanët të bëhen bashkë në përkrahje të subjektit që drejton ai, me qëllim që të mos e ndajnë votën për shkak se, sipas tij, mund të shpie në humbjen e mandateve në Kuvendin republikan të Maqedonisë.
Ndërsa BDI tha se Ahmeti i ka ndërtuar kapacitetet për t’u përballur me të gjitha sfidat që do të vijojnë pas 11 dhjetorit. Ahmeti gjithashtu foli edhe për bashkëpunimin me subjektet tjera politike pas zgjedhjeve. Ai tha se BDI do të bashkëpunojë me të gjithë ata që ia duan të mirën këtij vendi.
Do të bëjmë partneritet me të gjithë ata që seriozisht do të zgjedhin problemet me fqinjët, do t’i relaksojnë marrëdhëniet me fqinjët, do të krijojnë klimë më të mirë bashkëpunimi me të gjithë fqinjët tanë pa dallim, sepse vetëm në fqinjësi të mirë ne mund të kemi një stabilitet dhe siguri jo vetëm për vendin tonë, por për të gjithë rajonin, tha Ahmeti.
Ndërkaq, duke prezantuar kandidatët për deputetë të kësaj njësie zgjedhore, Ahmeti tha se ata janë të merituar dhe se në vazhdimësi kanë mbrojtur interesat e shqiptarëve.
Bartësi i listës në njësinë e pestë zgjedhore, Agim Shaqiri, prespanëve u premtoi se do të angazhohet për zvogëlimin e migrimit, duke krijuar kushte më të mira për ta, madje ai premtoi se do të angazhohet edhe për kthimin e tyre në vendlindje.
“Na jepet kjo detyrë që të kujdesemi dhe sadopak ta zbusim migracionin, përse jo, për ata që kanë migruar të krijojmë kushte për kthimin e tyre në vendlindje. Gjithashtu bujqësia në këto anë paraqet një mundësi më shumë për ata që merren vetëm me kultivimin e mollës e frutave dhe perimeve të ndryshme. Politikat tona do t’i drejtojmë si gjithmonë me mbështetjen pa rezervë për subvencion financiar në bujqësi, krijimin e kushteve për investim në këtë rajon kaq të pasur me ujë, ajër dhe ambient të pastër”,- u shpreh bartësi i listës në njësinë zgjedhore numër pesë nga BDI, Agim Shaqiri.
Për zvogëlimin e migrimit në vendbanimet e Prespës u zotua edhe kandidati i BDI-së në njësinë e pestë zgjedhore, Adem Karaga. Ai prespanëve u tha se do të krijojnë kushte për të gjithë ata që u larguan nga Prespa si investitorë dhe sipërmarrës fabrikash e biznesesh.
Ai tha se BDI këtë gjë e ka dëshmuar edhe me përkrahjen e investitorëve të huaj dhe këtë përkrahje do ta kenë me siguri edhe prespanët.
Ndërkohë, shefi i shtabit zgjedhor të BDI-së, Bekim Neziri, prespanëve u tha se nuk ka forcë politike në Maqedoni përveç BDI-së, e cila mbron interesat e shqiptarëve.
Ai ftoi prespanët që më 11 dhjetor ta votojnë BDI-në, sepse ka program dhe platformë zgjedhore që në mandatin e ardhshëm të ofrojë zgjidhje për prespanët.
NAIM RAMADANI
