Maqedoni

“Jugohrom”: të tërhiqet vendimi për ndalimin e punës

30.11.2016 16:25

“Jugohrom” kërkon nga inspektorati shtetëror në Ministrinë e Ekologjisë tërheqjen e vendimit për ndalesën e punës së kombinatit...

Sindikata thotë se kanë gjetur zgjidhje momentale për të punësuarit deri në muajin e 12, por nëse nuk zgjidhet problemi, sindikata kërcënon se do të vazhdojë me protestat edhe më radikale. 
 
“Duhet punëtorët normal të paguhen, “Jugohromi” nuk punon, të ardhura nuk ka. Dikush duhet t’i mbulojë këto. Bëj një apel te Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Inspektorati që ta tërheqin vendimin për ndalesën e punës së “Jugohromit” dhe të fillojmë punën, përndryshe do të vazhdojmë me protestat që do jenë më radikale”,- deklaroi kryetari i Sindikatës së punëtorëve në “Jugohrom”, Bajram Hamiti.
 
Drejtoria e “Jugohromit” thotë se ndotës i ajrit në Pollog nuk është vetëm “Jugohromi”, por ka edhe shumë faktorë të tjerë. 
 
“Për fat të mirë Tetova tani nuk është e ndotur, por kjo nuk ishte edhe  para 10 ditëve kur “Jugohromi” nuk punonte, prandaj duhet të gjitha institucionet të punojnë që të vërtetohen faktorët e vërtetë të ndotjes së ajrit. Te kjo ndotje ndikojnë transporti publik, ndryshimet klimatike,  djegia e deponive, ngrohja qendrore etj”,- tha drejtori i Kombinatit “Jugohrom”, Vasil Skenderovski.
 
Skenderovski thotë se ka pasur pengesa objektive që i kanë pamundësuar të vendosë filtrat brenda afatit.
 
Sipas tij, aktivitetet ndërtimore vazhdojnë, e ndërkohë do të mundohen të gjejnë zgjidhje optimale për të punësuarit që të mos kenë reperkusione negative në aspektin social.
 
Nga “Jugohrom” thonë se kanë pësuar humbje prej 350-400 mijë euro në muaj gjatë kësaj periudhe që kombinati nuk punon. 
 
VLORA LATIFI-TOPOJANI