Maqedoni
Dita e drurit, në Kërçovë u mbollën 12 mijë e 500 fidanë të rinj
30.11.2016 17:23
Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Bashkim Ameti, dhe kryetari i komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari...

Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Bashkim Ameti, dhe kryetari i komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari, vëzhguan aktivitetet e Ditës së drurit në Kërçovë, ku janë planifikuar për mbjellje 12 mijë e 500 fidanë të rinj.
“Mbjelljet që po zhvillohen në kuadër të aktiviteteve për Ditën e drurit në tërë vendin janë shumë të rëndësishme për ambientin jetësor dhe ato padyshim se do të ndikojnë në uljen e nivelit të ndotjes, por edhe në ngritjen e vetëdijes qytetare”,- tha ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Bashkim Ameti, me rastin e fillimit të aktiviteteve që realizohen në kuadër të Ditës së drurit në Kërçovë.
Sipas tij, faktor shumë i rëndësishëm i këtij procesi është zhvillimi dhe mbrojtja e bisqeve të mbjella, prandaj kërkohet një përkujdesje më e madhe ndaj hapësirave të gjelbëruara të cilat ndikojnë në uljen e ndotjes së ambientit jetësor, tha ndër të tjera ministri Ameti.
Ndërkaq kryetari i komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari, bëri të ditur se aktivitetet me rastin e Ditës së drurit, që realizohen nga ekipet komunale dhe punëtorët socialë, janë një mesazh i mirë për ngritjen e vetëdijes qytetare për ndikimin e hapësirave të gjelbëruara në uljen e nivelit të ndotjes së ambientit jetësor.
Ndryshe nga herat e tjera, sivjet janë planifikuar mbjelljet në hapësirat e qytetit dhe oborret e shkollave.
Por, fatkeqësisht, organizimi i shkollave nuk është në nivelin e duhur, tha Dehari, i cili u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të angazhohen në mënyrë permanente për ruajtjen e hapësirave të gjelbëruara dhe ambientit ku jetojmë.
SHABAN DALIPI
