Maqedoni
Analistët: Votuesit caktuan kush do të jetë në qeveri
30.04.2014 18:39
Votuesit dhanë verdiktin e tyre. Të dhënat flasin se maqedonasit mbështetën VMRO-DPMNE-në...

Votuesit dhanë verdiktin e tyre. Të dhënat flasin se maqedonasit mbështetën VMRO-DPMNE-në, ndërsa shqiptarët edhe njëherë dëshmuan se opsioni më afërt i tyre është ai i Bashkimit Demokratik për Integrim.
Opinioni publik tashmë është në sy e veshë dhe pret se çka do të ndodhë me krijimin e Qeveris së re, aq më tepër për faktin se gjatë fushatës zgjedhore pati deklarata të natyrave të ndryshme, të cilat lanë të kuptohet se mund të përsëriten jaranitë e vjetra midis VMRO-DPMNE-së dhe PDSH-së.
Por, këto rezultate zgjedhore, kur dallimi midis dy subjekteve politike shqiptare është tre me një në favor të BDI-së, ja kanë shtrënguar lakun Gruevskit, që ai të përcaktojë se kush do t’i përfaqësojë shqiptarët në qeverisje, pa përfillur vullnetin e shqiptarëve të shprehur më 27 prill.
Profesori universitar, Arsim Sinani, thotë se çështjen se cila nga partitë shqiptare do të jetë në qeverisjen e vendit, e kanë zgjidhur vetë votuesit shqiptarë, duke u hequr çdo të drejte vendimore strukturave politike të këtyre partive. Sipas tij, Gruevskit nuk i duhet një krizë shtesë, marrë parasysh krizën në vetë bllokun politik maqedonas.
“VMRO-ja nuk mund ta formojë Qeverinë pa BDI-në. Mund të luajë me kartën e PDSH-së për të dobësuar faktorin politik shqiptar, por faktori politik shqiptar i ka dhënë votën maksimale BDI-së. Pres që votat e lexuara në dy kampet politike të përkthehen në mandate, të përkthehen në bashkëqeverisje. Mendoj se VMRO pavarësisht se i ka marrë 61 mandate, e di shumë mirë dhe këtë e kanë të qartë krerët e saj, se pa BDI-në Qeveria nuk do të jetë stabile dhe nuk do të jetë Qeveri që përfaqëson interesat e shqiptarëve. Me ketë do të kishim një krizë të cilën mendoj se VMRO nuk do të mund ta përballonte”, deklaroi profesori universitar, Arsim Sinani.
Edhe gazetari Goran Momirovski, vlerëson se përcaktimin se kush duhet të kompozojë Qeverinë e re, e kanë bërë vetë votuesit me votën e tyre.
“Partnerët e koalicionit tani duhet të zgjidhin nëse ende vlen marrëveshja e arritur gjatë formimit të Qeverisë së kaluar, që partitë më të mëdha fituese të zgjedhjeve në dy blloqet etnike, janë partitë që e formojnë Qeverinë”, u shpreh gazetari Goran Momirovski.
Sa i përket rolit të PDSH-së në këtë moment, analisti Arsim Sinani mendon se ai është minorë dhe PDSH ka nevojë për reforma të brendshme dhe jo të luajë lojën e lojtarit rezervë të Gruevskit.
“PDSH do të duhej të mbante një kongres të jashtëzakonshëm dhe të kemi dyshim të lidershipit, për shkak se nga 2002 e këndej nuk ka asnjë fitore dhe pozicionimi dhe insistimi i saj për të qenë pjesë e Qeverisë, është i pakuptueshëm. Një parti që ekziston në skenën politike tashmë 16 vite, do të duhej ta analizojë situatën e brendshme dhe të shqyrtojë cilat janë dështimet e saj”, tha më tej profesor Sinani.
Tash thotë Sinani i takon BDI-së të mos abuzojë, por ta kapitalizojë vullnetin e votuesve shqiptarë, duke vënë në funksion 1081 projektet e paraqitura gjatë fushatës elektorale.
Edhe pse VMRO i ka teorikisht numrat në Parlament, për ta bërë Qeverinë edhe pa BDI-në, shpërfillja e votës shqiptare do t’i cenonte rëndë ekuilibrat ende shumë të brishta, mbi të cilat mbështetet e sotmja dhe e ardhmja e Maqedonisë, vlerësojnë analistët.
MERITA GASHI
