Maqedoni

Gazifikimi i Pollogut, BDI: javën e ardhshme fillojnë punimet

30.11.2016 18:09

Bashkimi Demokratik për Integrim paralajmëroi projekt për gazifikimin e rajonit të Pollogut...

Projekti u promovua si pjesë e programit për zhvillim të barabartë ekonomik dhe krijim të vendeve të reja të punës.
 
Nga BDI bëjnë me dije se projekti do të fillojë të realizohet që në javën e ardhshme dhe do të ketë impakt në ngritjen ekonomike jo vetëm të Pollogut, por edhe më gjerë.
 
Nga BDI paralajmërojnë angazhim të madh që ky projekt të përfundojë sa më parë.
 
“Gazifikimi i rajonit të Pollogut është me rëndësi esenciale për qytetarët që jetojnë këtu dhe pikërisht për këtë arsye realizimi i këtij projekti paraqet "zotim" të rëndësishëm për BDI-në, i cili do të kontribuojë në përmbushjen e një nga pesë "përbetimet" e kësaj fushate - barazinë ekonomike”,- deklaroi kandidatja për deputete në njesinë e gjashtë zgjedhore nga BDI, Shpresa Hadri.
 
“Ky projekt është projekt i premtuar nga BDI dhe është pikë shumë e rëndësishmë e zotimit për barazi ekonomike. Ky projekt do të ketë impakt shumë të madh në ngritjen e nivelit të jetës së  banorëve të zonës së Pollogut dhe mbi të gjitha impakt pozitiv do të ketë për ambientin jetësor, problem ky që e tangon atë zonë”,- tha bartësi i listës në njësinë e katër zgjedhore nga BDI, Artin Spahiu.
 
Nga ky projekt do të përfitojnë më së shumti ata që BDI i cilëson si “motorët ekonomikë rajonal” , si dhe do të ulen bindshëm shpenzimet e kompanive.
 
Punimet fillojnë brenda disa ditëve, kurse realizimi i tij përfundon gjatë mandatit të ardhshëm, premtuan nga BDI.  
 
Ky projekt do të sigurojë gaz natyror nga Shkupi, Tetova, Gostivari përmes rrjetit të distribucionit prej 180 km në Maqedoninë perëndimore dhe do përshkojë 26 komuna.
 
SHPËTIM NUREDINI