Maqedoni

BDI: Presidenti legal, por jo legjitim

30.04.2014 18:46

Presidenti i ri i vendit do të jetë legal, po jo edhe legjitim për shqiptarët për shkak se është zgjidhur pa vullnetin e shqiptarëve...

Presidenti i ri i vendit do të jetë legal, po jo edhe legjitim për shqiptarët për shkak se është zgjidhur pa vullnetin e shqiptarëve, deklaroi zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani.
 
Sipas tij, legaliteti i institucionit kryetar mbetet i pakontestueshëm, por presidenti i njëanshëm i cili është zgjedhur pa vullnetin e komunitetit shqiptar, mbetet i papranueshëm.              
 
“Ne nuk kontestojmë legalitetin e procesin dhe legalitetin e institucionit kryetar, por kontestojmë legjitimitetin e presidentit i zgjedhur pa vullnetin e shqiptarëve, andaj presidenti i ri nuk do të jetë legjitim prej shqiptarëve, do të jetë legal për shkak se është zgjedhur në proces legal, mirëpo do të jetë jolegjitim për shkak se është zgjedhur pa vullnetin e shqiptarëve në Maqedoni”, deklaroi zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani.
 
Në pyetjen e se cilat do të jenë hapat e BDI-së nëse nuk bëhet pjesë përbërëse e Qeverisë së ardhshme, Osmani theksoi se nuk ka nevojë të harxhohet shumë energji në këtë drejtim, pasi kjo çështje është tejkaluar me eksperimentin e vitit 2006, e cila rezultoi e pasuksesshme.
 
“Mendoj se kjo temë është tejkaluar në vitin 2008, kishte një eksperiment në  vitin 2006, mirëpo u tregua se mekanizmi i badenterit e ka atë fuqi për të destabilizuar çdo ide, për të mbivotuar ose mosrespektuar vullnetin e popullit shqiptarë në Maqedoni dhe jorastësisht ajo Qeveri atëherë nuk mbijetoi më shumë se disa muaj, andaj mendoj se kjo temë është e tejkaluar në vitin 2008 dhe asnjë institucion në Maqedoni pas vitit 2002 nuk është legjitime nëse nuk mban legjitimitetin nga komunitetet etnike ose nga bashkësitë etnike, para se gjithash komuniteti shqiptarë dhe komuniteti maqedonas, ashtu që mendoj se nuk duhet të harxhojmë shumë energji në këtë drejtim, por tani duhet të bisedojmë se si duhet të ecë vendi përpara, se si ky mandat i fuqishëm i shqiptarëve të reflektojë në realizimin e platformës parazgjedhore të BE-së dhe në drejtim të mirëqenies”, shtoi më tej Osmani.
   
Nga ana tjetër, kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, nuk ka dashur të flasë në këtë temë. 
 
I pyetur të komentojë deklaratat e BDI-së se nuk do të lejojë të përsëritet viti 2006, Gruevski dha këtë përgjigje: "për pyetje të këtilla do të përgjigjem kur të vijë koha".
 
Sipas paralajmërimeve, negociatat për formimin e Qeverisë së re pritet të fillojnë pas 1 majit mes VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së, të cilat do të iniciohen nga sekretarët e përgjithshëm partiak të të dy partive politike.
 
ZEJXHANE OSMANI