Botë
Kolumbi, aeroplani që u rrëzua ka mbetur pa karburant
01.12.2016 10:22
Aeroplani që u rrëzua në Kolumbi të martën, me ç'rast e humbën jetën një numër i madh i futbollistëve të klubit brazilian "Shapekoense"...

Aeroplani që u rrëzua në Kolumbi të martën, me ç'rast e humbën jetën një numër i madh i futbollistëve të klubit brazilian "Shapekoense", ka mbetur pa karburant, lajmërojnë mediat kolumbiane, duke iu referuar disa pjesëve të bisedës së incizuar të pilotit me kontrollin e fluturimit.
Në disa pjesë të kësaj bisede që u publikua në media, dëgjohet se si piloti disa herë përsërit se urgjentisht duhet të zbresë, sepse aeroplani ka "defekt të tërësishëm në elektrikë" dhe nuk ka karburant në rezervuarët.
Mediat zbulojnë se biseda e incizuar e tregon situatën dramatike në kabinën e pilotit në momentet finale para se fluturakja të rrëzohet në pjesët malore të Kolumbisë, në afërsi të qytetit Medelin.
Para se të ndalet incizimi, dëgjohet se si piloti e ka njoftuar kontrollin e fluturimit se aeroplani gjendet në lartësi prej 2.743 metrave.
Në vendin e rënies nuk ka kurrfarë gjurme të shpërthimit, që vetëm i konfirmon fjalët e pilotit se rezervuarët e aeroplanit të tij kanë qenë tërësisht të zbrazëta.
Një ekspert ushtarak i armatës kolumbiane, identitetin e të cilit mediat nuk e zbulojnë, ka deklaruar se "është tejet e dyshimtë" që aeroplani ka mbetur pa karburant.
Sipas tij, tani duhet të hulumtohen arsyet për atë nëse gjatë fluturimit nga Bolivia karburanti është derdhur pa e vërejtur ekuipazhi, ose aeroplani ka fluturuar pa karburant të mjaftueshëm në rezervuarët e tij.
Në këtë fatkeqësi humbën jetën 77 persona, prej të cilëve 19 futbollistë dhe 20 gazetarë, të cilët kanë udhëtuar me ekipin e "Shapekoense".
Rënien e aeroplanit e mbijetuan gjashtë pasagjerë. Prej tyre dy janë futbollistë, të cilët janë në gjendje kritike, por sipas mjekëve kolumbianë gjendja është stabile.
