Maqedoni

Ahmeti: Vazhdojmë misionin për mandat vendimtar

01.12.2016 14:05

BDI prezantoi platformën e saj zgjedhore në Reçicë të Madhe të Tetovës. Lideri i partisë, Ali Ahmeti...

BDI prezantoi platformën e saj zgjedhore në Reçicë të Madhe të Tetovës. Lideri i partisë, Ali Ahmeti, njëherit bartës i listës në njësinë e gjashtë zgjedhore, tha se partia që ai drejton do të vazhdojë misionin e saj të filluar më herët edhe në qeverinë e ardhshme, duke krijuar kushte më të mira ekonomike për shqiptarët, hapje të vendeve të reja të punës, barazi ekonomike dhe ndërtim të shumë shkollave të reja për shqiptarët.
 
Ahmeti vlerësoi se mandati i ardhshëm është në veçanti shumë i rëndësishëm edhe për t’i zgjidhur njëherë e përgjithmonë çështjet e hapura ndër vite, si çështja e emrit dhe anëtarësimi i vendit në NATO dhe BE.
 
“BDI është forcë e pamposhtur, që fiton, por ne nuk dëshirojmë fitore dosido, ne duam mandat të rëndësishëm, ku do të mund të tejkalohen çështjet që vërtet duan imunitet. Problemi i çështjes së emrit do mirëkuptim brenda shteteve, siç është kontesti me palën greke apo me atë bullgare. Ne jemi përpjekur si BDI që të mos qëndrojmë si shikues, por jemi kyçur në mënyrë aktive për zgjidhjen e këtyre problemeve. E lehtë është të ikësh nga fronti dhe nuk ka më lehtë t’ia kthesh shpinën furtunës. Por, ne, ballë për ballë me furtunën, e kemi ditur se do të paguajmë çmimin  nga njerëzit e ligë që janë përpjekur vazhdimisht të gjejnë ndonjë dobësi të BDI-së, ne qëndruam aktorë në këto ngjarje, në këto zhvillime të mëdha, prandaj dolëm të suksesshëm në këto negociata”,- deklaroi lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.
 
Ahmeti vlerëson se ndarja e votës shqiptare në më shumë subjekte politike do të dëmtonte interesat dhe idetë e shqiptarëve, e me këtë do të dobësohej edhe zëri i përfaqësuesve shqiptarë në qeverinë e ardhshme. Andaj, ai u bëri thirrje të gjithëve që më 11 dhjetor të përkrahin BDI-në, që të mund të vazhdohet me realizimin e shumë projekteve në infrastrukturën rrugore, në ujësjellës dhe kanalizim, dhe me rregullimin e shtretërve të lumenjve.
 
“Prandaj, të ndarë nëpër shumë subjekte, sigurisht që nuk jemi të fortë dhe asnjëherë më nuk kam dashur që të na përsëritet mandati  i 2011-ës, që ne humbëm mbi gjashtë mandate, duke na shkuar kot mbi 50 mijë vota të elektoratit shqiptar. Të kemi kujdes prej atyre që nuk ia duan të mirën shqiptarëve, sepse ata në vazhdimësi kanë investuar për t’i ndarë dhe për t’i përçarë, për t’i përballur shqiptarët me të keqen, andaj mendoj se në këtë vizionin tonë t’i thërrasim ata që nuk janë me ne, që të na bashkëngjiten me misionarët tanë”,- u shpreh bartësi i listës në njësinë zgjedhore numër gjashtë, Ali Ahmeti.
 
Edhe kandidatja për deputete, Shpresa Hadri, theksoi se BDI do të vazhdojë investimet jo vetëm në Tetovë, por në të gjitha komunat e banuara me shqiptarë.
 
“Ju premtoj që do të vazhdojmë me realizimin e platformës tonë, me restaurimin e monumenteve historike, me përfundimin e stacionit të filtrimit të ujit, me vazhdimin e investimeve në zonën e lirë ekonomike, me investimet kapitale në Kodrën e Diellit, që do të ndikojë në rritjen e turizmit dimëror dhe atij malor, si dhe hapjen e vendeve të reja të punës dhe zhvillimit ekonomik të malësisë”,- tha kandidatja për deputete në njësinë gjashtë zgjedhore nga BDI, Shpresa Hadri.
 
BDI në Reçicë të Madhe numëroi edhe të arriturat e tyre deri më tani, siç janë hapja e vendeve të reja të punës në zonat e lira ekonomike, kushtet më të mira për investitorët e huaj, punësimi i shqiptarëve në administratën shtetërore, ndërtimi i qindra sallave të sportit, lëvizja e lirë me letërnjoftime me Kosovën, marrëveshje të shumta në fushën e arsimit mes Maqedonisë dhe Kosovës, investimet në shëndetësi, ushtri, polici, si dhe themelimin e Universitetit të ri “Nënë Tereza” në Shkup. 
 
Kandidatët për deputetë në njësinë e gjashtë zgjedhore u zotuan para liderit të BDI-së se do të punojnë me përkushtim të madh për t’i realizuar projektet e platformës së BDI-së dhe për t’u mundësuar jetë më të mirë shqiptarëve.
 
Në këtë tubim gjithashtu u premtua se në buxhetin e Sekretariatit për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit për vitin 2017 janë ndarë mjete për themelimin e një qendre të re edukative, ku fëmijët do të trajnohen për kompjuterë dhe gjuhë të huaja falas.  
 
REXHEP QAMILI