Maqedoni

“Aleanca për shqiptarët” mbajti tubim në Luboten

01.12.2016 14:22

“Aleanca për Shqiptarët” mbrëmë në fshatin Luboten të Shkupit prezantoi platformën politike dhe kandidatët e tyre për deputetë...

Ata theksuan se shqiptarëve në Maqedoni duhet t’u kthehet shpresa për jetë dhe se meritojnë barazi të plotë.
 
“Më e keqja që po na ndodhë është humbja e shpresës. Ne gjatë kësaj qeverisje të keqe dalëngadalë kemi humbur dinjitetin dhe shpresën për ardhmëri me të mirë. Kudo që të shkosh në vendbanimet shqiptare sheh gati të njëjtën infrastrukturë, të njëjtat rrugë, të njëjtat pamje, ndërsa nga ana tjetër shohim një botë krejtësisht tjetër, sikurse ne jemi të dënuar dhe të gjykuar të jetojmë si dy botëra, ku njëra është Europa dhe tjetra është Afrika”,- deklaroi bartësi i listës në njësinë zgjedhore numër dy nga “Aleanca për shqiptarët”, Nexhmedin Sadiku. 
 
“Duhet të kemi kujdes dhe me Lidhjen Socialdemokrate, VMRO ka folur, por në fund edhe ka vra, por më shumë sesa kanë vra dhe kanë burgos socialdemokratët askush, prej Ladorishti, Bit Pazari, Gostivari e gjetiu ku patën mundësi vranë, përderisa VMRO thoshte “umrete shqiptari”, ky me të vërtetë i vriste nën udhëheqjen e Branko Crvenkovskit”,- tha kryetari i UNITETI-t, Gëzim Ostreni.
 
Koalicioni “Aleanca për shqiptarët” gjatë këtij takimi nuk la pa e përmendur edhe përdorimin e gjuhës shqipe, ku premtoi se me ardhjen në pushtet gjuha shqipe do të flitet në të gjithë Maqedoninë.
 
GAZMEND REXHEPI