Maqedoni

Thaçi: Ekonomia, elementi kyç në platformën e PDSh-së

01.12.2016 14:54

Ekonomia është elementi kyç i platformës së PDSh-së me të cilën kjo parti kërkon votën e qytetarëve më 11 dhjetor...

Në tubimet e mbrëmshme në Tetovë dhe Porroj, lideri i PDSh-së, Menduh Thaçi, tha se nëse qytetarët nuk e dënojnë BDI-në dhe VMRO- DPMNE-në, vendi do të ketë bllokadë ekonomike.
 
Sipas tij, nëse votohet PDSh-ja, shqiptarët do të kenë pozicionet e merituara në hierarkinë institucionale, bursat do të jenë të barabarta me ato të maqedonasve, pensionistët do të gëzojnë të njëjtat beneficione.
 
Duke kritikuar kundërshtarin e tij politik, BDI-në, lideri i PDSh-së, Thaçi, tha se kjo parti nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për të përmirësuar gjendjen e shqiptarëve, të cilët vazhdojnë të përballen me probleme themelore, si me mungesën e ujit të pijshëm, kanalizimit, ajrit të ndotur etj.
 
“BDI thotë që do ta rrisin pagën minimale. Të kujt? Të të punësuarve? Sa janë të punësuar shqiptarë, 5%, 95% janë maqedonas, e kopjojnë programin e VMRO-së dhe nuk e kuptojnë se flasin si VMRO-ja dhe si maqedonasit. BDI thotë se do të bëjmë kaq punësime, kaq investime. Tashmë është e qartë se Bashkësia Ndërkombëtare ka një qëndrim jashtëzakonisht negativ ndaj BDI-së, VMRO-së dhe kësaj qeverie. Unë bashkërisht me ju duhet t’u apelojmë të gjithë qytetareve që jetojnë këtu se po nuk rrëzohet BDI do të ketë bllokadë totale ekonomike të Bashkësisë Ndërkombëtare, prej fondit ndërkombëtar, prej bankave botërore dhe Maqedonia do të ketë një kolaps të plot ekonomik. Për këto 13-14 vite pushtet nuk kemi të vendosur asnjë gozhdë në qytetin e Tetovës, nuk kemi të realizuar asnjë projekt, vazhdon Tetova të ngelë pa ujë për pije, vazhdon ta ketë ajrin më të ndotur në Botë, vazhdon të ketë rrugë me gropa e lloç, vazhdon çdo lagje të ketë problem me kanalizim”,- u shpreh kryetari i PDSh-së, Menduh Thaçi.
 
Lideri i PDSh-së, Thaçi, premtoi se në qeverinë e ardhshme shqiptarët do të kenë një zëvendëskryeministër i cili do të ketë një të drejtë veto, ku asnjë vendim i rëndësishëm i qeverisë si në ekonomi, në sferën multietnike nuk do të mund të merret pa pëlqimin e tij. Nëse te maqedonasit mund të kalojë veto në institucionet e shtetit, atëherë veto mund të funksionojë edhe për të marrë të drejtat ne shqiptarët, tha Thaçi. 
 
“Na ka thënë dhe vazhdon të na nënçmojë 15 vite se e ka bërë gjuhën shqipe. Tash thotë se do ta bëj prapë gjuhën shqipe. Ju lutem, nuk din se çka flet. Ekspertët tanë thonë se për t’u bërë zyrtarizimi i gjuhës shqipe nevojiten 430 milion euro prej buxhetit të shtetit, për shkak se gjuha shqipe bëhet atëherë kur njerëzit në sportele din të flasin dhe shkruajnë maqedonisht edhe shqip, por ai që është i punësuar në administratë të flet dhe të shkruaj maqedonisht edhe shqip. Sa njerëz duhet të punësojë që e kanë shkollimin e lartë sipëror, që kanë vuajtur se janë njohësit me fakultet të gjuhës maqedonase dhe shqipe, me mijëra, sa kushtojnë ata, me qindra miliona euro, sa duhet të jetë rroga e këtyre njerëzve që përnjëherë kryejnë dy fakultete, dyfish më e madhe se sa e të tjerëve që kanë fakultete të tjera. Këtë e mora si shembull që në asnjë moment askush të mos mendojë se ka armiqësi të pashpjegueshme mes Menduh Thaçit dhe Ali Ahmetit, dhe në mes BDI-së dhe PDSh-së. Të gjithë funksionarët e tanishëm që i kemi të BDI-së apo u thonë ne rrimë me kokën ulur, sepse nuk na bën hesap askush. Është e vërtetë kjo, po. T’u thoni kur të vijë PDSh-ja, kur të vijë Menduh Thaçi si zëvendëskryeministër edhe ju do ta ngrini kokën lart”,- theksoi kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi.
 
Ndërkohë bartësi i listës në njësinë zgjedhore numër një, Idriz Orana, gjate prezantimit të platformës së PDSh-së para banorëve të Sarajit tha se tani është momenti për t’i mposhtur ata që para zgjedhjeve vishen me rrobat kombëtare dhe thirren në luftën  2001-it.
 
Orana kërkoi besimin dhe votën e banorëve të Sarajit për t’i thënë STOP BDI-së dhe STOP degradimit dhe nënçmimit të shqiptarëve prej Kumanovës deri në Strugë. 
 
“Vetëm shikoni në çfarë kushte jetojnë shqiptarët në mesin e Shkupit,  a mund të krahasohen me komunat maqedonase? Këtë e bëri BDI-ja, na ktheu në kohën e kalldrëmeve dhe në kohën e gurit, ata vërtet që po bashkëvendosin me maqedonasit. Për çka bashkë vendosin? Po vendosin për interesat e ngushta dhe për t’i mbushur xhepat e pafund. Në emër të shqiptarëve po ju lus që t’u japim fund pisllëqeve, nënçmimeve, vrasjeve, arrestimeve, abuzimeve të më të keqes që kanë përjetuar shqiptarët këtu në Maqedoni. Duhet t’i japim fund dhe t’i hedhim qafe vëllezërit e Rankoviqit, që po e vrasin çdo shpresë shqiptare këtu në Maqedoni. Votoni PDSh-në dhe ne do të jemi dora juaj që do të rikthejë nderin, besnikërinë, moralin dhe imazhin e vërtetë të shqiptarëve. Duhet të zgjoheni nga kjo ëndërr e keqe, që është një ankth që po zgjat 12 vite pa ndalur”,- theksoi bartësi i listës në njësinë zgjedhore numër një nga PDSh, Idriz Orana.
 
Në tubimet e mbrëmshme lideri i PDSh-së ndërkohë u ndal edhe te partitë e vogla, duke u potencuar qytetarëve se votat që nuk shkojnë për PDSh-në, 90% shkojnë për VMRO-DPMNE-në e Nikolla Gruevskit dhe LSDM-në e Zoran Zaevit.
 
“Nuk guxon që vota të ndahet, sepse është votë kombëtare, veton që do ta vendosim do të jetë element dhe parakusht që do të dëshmojë se njeriu i dytë i këtij shteti është shqiptar”,- tha më tej Thaçi në tubimet e mbrëmshme.
 
SANIJE DURAKU