Maqedoni

Komisioni anti-korrupsion, ankesa kundër Spasovskit dhe partisë së tij

01.12.2016 15:25

Deri tek Komisioni për parandalimin e korrupsionit kanë mbërritur dy ankesa

Deri tek Komisioni për parandalimin e korrupsionit kanë mbërritur dy ankesa, njëra ndaj ministrit të Punëve të Brendshme, Oliver Spasovskit, dhe tjetra kundër koalicionit të LSDM-së, kryetarit të Kumanovës dhe ndërmarrjes publike komunale në këtë qytet.
 
Spasovski akuzohet nga zëvendësi i tij shtesë, Oliver Andonov, se ditën e shpalljes së zgjedhjeve dhe një ditë më pas, duke keqpërdorur pozitën zyrtare ka bërë emërime dhe avancime brenda ministrisë, duke iu dhënë paga shtesë.
 
“Këtyre të punësuarve në Ministrinë e Brendshme i janë dhënë paga më të mëdha, ndryshe nga pagat mujore që kanë marrë para para se të marrin vendimet e reja. Me këtë shkaktohet implikim financiar, gjegjësisht pagesa të jashtëzakonshme nga mjetet buxhetore”,- deklaroi anëtarja e Komisionit anti-korrupsion, Farija Aliu.
 
Ankesa e dytë vjen nga koalicioni i VMRO-DPMNE-së, të cilët akuzojnë se përfaqësues të LSDM-së dhe të punësuar në ndërmarrjen komunale të Kumanovës ditën e shpalljes së zgjedhjeve dhe një ditë pas, me vetura zyrtare kanë bartur material zgjedhor të LSDM-së dhe koalicionit.
 
“Bashkë me ankesën janë dorëzuar edhe kopje të fotografive, shkrime në media dhe video. Në bazë të materialeve të dorëzuara mund të konstatohet se ankesa është e bazuar”,- u shpreh kryetari i Komisionit anti-korrupsion, Igor Tanturovski.
 
Komisioni shtetëror për parandalimin e korrupsionit kërkon nga Prokuroria Themelore e Shkupit të hulumtojë të dyja rastet dhe të informojë komisionin. Ndërkohë që kërkohet të prononcohen edhe kryetari i komunës së Kumanovës dhe drejtori i ndërmarrjes komunale ndaj akuzave të VMRO-së.
 
MERAL ISMAILI