Maqedoni

Dita Ndërkombëtare e SIDA-s, aktivitete senzibilizuese edhe në Maqedoni

01.12.2016 15:46

Edhe pse është bërë shumë për të parandaluar dhe kontrolluar përhapjen e virusit HIV/AIDS, ende ka shumë për t’u bërë...

Aktivitetet senzibilizuese në Ditën ndërkombëtare të SIDA-s prekin drejtpërdrejtë qytetarët, duke i informuar rreth këtij virusi dhe rëndësinë e parandalimit të tij.
 
Ky virus vazhdon të jetë problem madhor për shëndetin publik, edhe pse numri i njerëzve që kanë vdekur nga sëmundje të lidhura me AIDS-in është përgjysmuar, nga dy milion në vitin 2006, në 1.1 milion në vitin 2015, thonë mjekët. 
 
“Vlen të theksohet se të gjitha testimet që bëhen në këtë drejtim për këtë sëmundje HIV, gjegjësisht AIDS, janë gratis dhe të gjithë medikamentet të cilat janë të shtrenjta janë falas dhe sigurohen nga Fondi Global”,- u shpreh mjeku, Fadil Cana.    
                           
Lidhur me këtë ditë u organizua edhe një takim rajonal i Evropës Juglindore, ku u bë thirrje publike institucioneve përkatëse që çështja e HIV-it mos të harrohet, si dhe të rritet financimi në luftën kundër kësaj sëmundje.              
                                         
“Qeveritë e rajonit e financojnë luftën kundër HIV-it dhe kundër Tuberkulozit, por me rëndësi është që të rritet financimi, dhe jo vetëm ajo, por edhe të thellohet bashkëpunimi në mes qeverive dhe sektorit civil”,- u shpreh përfaqësuesja nga Bosnjë e Hercegovina, Aida Kurtoviç.
 
“Shfrytëzojmë rastin që t’u bëjmë thirrje publike institucioneve të vendit, gjegjësisht qeverisë dhe donatorëve, që kjo çështje të mos harrohet, dhe është me rëndësi që rajoni ynë të mbetet me nivel më të ulët të HIV-it”,- tha përfaqsuesi i MKN-së, Hristijan Jankulovski.
 
 Kjo ditë u shoqërua edhe me protesta. Sipas OJQ-ve që merren me këtë sëmundje, buxheti për vitin 2017 parasheh 59% më pak mjete për luftën kundër kësaj sëmundje.
 
“Urgjentisht të bëhet korrektim i buxhetit për HIV-in për vitin 2017, në përputhshmëri me vlerësimet e bëra nga ekspertët e angazhuar nga Ministria e Shëndetësisë për financim njëvjeçar të terapisë dhe financim gjashtëmujor të programeve për preventim për vitin 2017, si dhe të gjendet një mekanizëm për financimin e programeve për grupet që janë të rrezikuara nga kjo sëmundje”,- theksoi protestuesja, Silvana Naumova. 
 
Sipas të dhënave, këtë vit ka 33 të sëmurë të rinj me HIV, ndërkaq deri tani janë regjistruar 275 raste, 80 nga të cilët kanë vdekur. 
 
BELINDA KOKA-ADEMI