Maqedoni
Tryezë “instrumentalizimi i mediave gjatë fushatës”
01.12.2016 16:25
Mediat duhet të shihen si një element thelbësor në konceptin e zgjedhjeve të lira...

Mediat duhet të shihen si një element thelbësor në konceptin e zgjedhjeve të lira, pasi shumë qytetarë dhe publiku në përgjithësi vendimet e tyre i bazojnë në atë se çka servohet në media.
Kjo u theksua në tryezën me temë: “Instrumentalizimi i mediave në RM gjatë fushatës zgjedhore”, ku kreu i ShGM-së, Naser Selmani, tha se qeveria e ka uzurpuar rolin e medieve, duke i shndërruar ato në makineri propaganduese.
“Duke analizuar gjendjen shumë vite në Shoqatën e gazetarëve, kemi vërejtur se ekzistojnë dy cikla të instrumentalizimit apo manipulimit të mediave nga ana e qeverisë. Cikli i parë është fushata zgjedhore para dhe pas zgjedhjeve, ku qeverisë i nevojitet të legjitimohet para qytetarëve dhe ta fitojë atë përkrahje nga qytetarët. Cikli i dytë është kohëzgjatja ndërmjet dy periudhave zgjedhore”,- deklaroi kryetari i ShGM-së, Naser Selmani.
“Dua të potencoj edhe rekomandimin e Këshillit të Europës, ku theksohet se organet publike duhet të përmbahen nga përzierja në punën e gazetarëve dhe mediumeve. Mirëpo praktika tregon se gazetarët në redaksitë e tyre përballen me qëndrime të ndryshme, ku obligohen të informojnë jashtë kornizave të informimit profesional”,- tha Marina Tuneva nga Këshilli i etikës.
“Instrumentalizimi i mediave është më problematik jashtë periudhës së fushatës zgjedhore se sa gjatë fushatë, për shkak se gjithë e dimë se gjatë fushatës televizionet funksionojnë në bazë të rregullave të ligjit zgjedhor, dënimet aty janë shumë rigoroze”,- theksoi Biljana Petkovska nga Instituti i Mediave të Maqedonisë.
Në takim po ashtu u theksua se marrëveshja ndërmjet partive politike dhe formimi i trupit Ad Hok është zgjidhje afatshkurte dhe nuk ofron zgjidhje të problemeve në media.
“Liria e mediave varet vetëm nga formimi i një qeverie demokratike, e cila do t’i dënonte sulmet ndaj gazetarëve”,- thonë shoqatat që mbrojnë të drejtat e gazetarëve.
GAZMEND KURTISHI
