Finalja e Ligës së Kampionëve flet spanjollisht
Vitin e kaluar ishin dy skuadrat gjermane, Bajerni nga Munihu dhe Borusia nga Dortmundi që u takuan në finalen e madhe, ndërsa këtë vit janë spanjollët ata të cilët mund të lavdërohen me një gjë të tillë…………
Finalja e sivjetshme në Ligën e Kampionëve Evropiane do të flasë spanjollisht, pasi në të do të luajnë dy skuadrat nga kryeqendra spanjolle, Atletiko dhe Reali i Madridit. Është kjo hera e parë që në historikun e këtij kompeticioni në një finale të takohen dy skuadra nga po i njëjti qytet.
Vitin e kaluar ishin dy skuadrat gjermane, Bajerni nga Munihu dhe Borusia nga Dortmundi që u takuan në finalen e madhe, ndërsa këtë vit janë spanjollët ata të cilët mund të lavdërohen me një gjë të tillë.
Atletiko Madridi sonte në ndeshjen e kthimit në “Stemford Brixh” ndaj Çelzit zhvilloi një ndër ndeshjet më të mira gjatë këtij edicioni në Ligën e Kampionëve, duke shënuar fitore me rezultatin 3:1, edhe pse të parët që shënuan ishin vendasit.
Pas 30 minutave të para taktizime nga ana e të dyja skuadrave, të pranishmit në “Stemford Birxh” në vazhdim të ndeshjes patën mundësi të shohin një futboll mjaft cilësor, ku në fund arriti që të triumfoi filozofia e strategut më të ri, ajo e argjentinasit Diego Simeone.
Murinjo e nisi mirë pasi skuadra e tij avansoi me golin e shënuar nga spanjolli Fernando Tores në minutën e 36-të, por që Adrian Lopez një minutë para fundit të pjesës së parë të arrijë të barazojë shifrat në 1:1.
Në golin e shënuar nga Lopez dështuan tre mbrojtësit e Çelzit, Ivanoviç, Kehill dhe Teri, të cilët me gabimet e tyre edhe më të mëdha vazhduan në pjesën e dytë, gjë të cilën në maksimum e shfrytëzuan futbollistët e Atletiko Madridit dhe në fund me plotë meritë siguruan vizën për në finalen e madhe të Lisbonës.
Golin e dytë “jorganxhinjët” e shënuan nga penaltia, të cilën e shkaktoi sulmuesi kamerunas Samuel Eto. Nuk kishin kaluar 5 minuta të plota që nga koha kur në lojë ishte inkuadruar kamerunasi i cili kishte zëvendësuar mbrojtësin e majtë Eshli Koll, me shpresë se do të bëjë ndryshime në sulmin e vendasve.
Megjithatë një gjë e tillë nuk ndodhi, pasi penaltia e shkaktuar disi e dëshpëroi kamerunasin, që në asnjë moment të vetëm nuk arriti të rrezikojë portën mysafire.
Penaltinë e shkaktuar në minutën e 60-të, Diego Kosta arriti që ta valorizojë me gol, duke kaluar për herë të parë në epërsi skuadrën madrilene, e cila pas këtij goli të shënuar luajti edhe më mirë, duke marrë thuajse në tërësi kontrollin e lojës.
Në një lojë të tillë, në minutën e 77-të Arda Turan shënoi edhe golin e tretë, edhe atë pas dy tentativave, pasi në tentativën e parë goditja e tij me kokë përfundoi në traverzë, por që topi sërish u kthye në këmbët e tij për të shënuar edhe golin e tretë në rrjetën e Shvarcer.
Kjo është hera e dytë që Atletiko Madridi do të luajë në një finale të Ligës së Kampionëve Evropian, pas asaj në vitin 1974 kur kishte humbur ndeshjen nga Bajerni i Munihut, ndërkohë në anën tjetër kundërshtari i tyre Reali i Madridit do të kërkojë titullin e 10-të në këtë kompeticion, për herë parë pas vitit 2002 kur kishte mundur Bajer Leverkusenin.
Finalja e madhe e këtij viti në program është me datë 24 maj në Lisbonë të Portugalisë. (infOSport.mk)