Maqedoni
Kasami: Do të bëjmë ridefinimin e Maqedonisë
02.12.2016 12:54
Mbrëmë, Koalicioni "Rilindje me Besë" realizoi takime me qytetarët e Hasanbegut dhe të Haraçinës, ku dhe shpalosën platformën dhe programin zgjedhor...

Kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, theksoi se do të bëjnë ridefinimin e këtij vendi, e cila nënkupton ridefinimin e sistemit juridiko-kushtetues, sistemit ekonomik, me ridefinim do të bëjnë zhvillim të balancuar të rajoneve, në të cilat nuk kanë krijuar mirëqenie për shqiptarët, por vetëm për politikanët.
“Ridefinimi nënkupton që shteti, institucionet e shtetit, politikanët duhet të punojnë për të mirën e popullit. Ridefinimi gjithashtu nënkupton që këto të mira të pushtetit duhet t’i shfrytëzojë populli, shqiptarët, e jo politikanët. Me ridefinim nënkuptojmë redifinimin e sistemit ekonomik, cila do të duhet të krijojë mirëqenie për gjithë qytetarët, do të duhet të krijojë vende pune për gjithë qytetarët, mjaftë më u zbrazën vendbanimet tona, mjaftë më po na ikë rinia jonë, mjaftë pjesa më e mirë po largohet rrugëve të Evropës”,- deklaroi kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami.
Bartësi i listës në njësinë zgjedhore numër dy, Afrim Gashi, para banorëve të Haraçinës dhe Hasanbegut premtoi se problemet e infrastrukturës do të jenë pjesë e të kaluarës dhe se një pjesë e buxhetit do të ndahet për ndërtimin e shkollave dhe çerdheve.
“Jam i bindur se pas 11 dhjetorit, nëse ne vijmë në pushtet, nëse ju na jepni votën dhe besimin, ne do të bëjmë çmos, së paku problemet infrastrukturore të jenë pjesë e së kaluarës tonë. Ne do të bëjmë çmos që një pjesë të buxhetit ta ndajmë për ndërtimin e meremetimin e shkollave, që fëmijët tanë të mësojnë dinjitetshëm, të mësojnë në kushte të mira dhe gjithashtu një pjesë të madhe do të investojmë në riaftësimin e arsimtarëve në mjetet e punës dhe librave, dhe në ndërtimin e çerdheve që askund nuk i gjeni në vendbanimet shqiptare”,- u shpreh bartësi i listës në njësinë zgjedhore dy, Afrim Gashi.
Kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, tha se afaristëve do të ju mundësohet që në mënyrë të lirshme t’i kryejnë aktivitetet e tyre afariste. Ai tha se Lëvizja BESA nuk do të bëhet shërbëtor I askujt përveçse i popullit.
REJHANE BUSHI-METAJ
