Maqedoni

Zaev: Zgjidhni programin tonë, për jetë në Maqedoni

02.12.2016 13:21

Lideri i LSDM-së dhe bartësi i listës së kandidatëve në njësinë e katërt zgjedhore, Zoran Zaev...

Lideri i LSDM-së dhe bartësi i listës së kandidatëve në njësinë e katërt zgjedhore, Zoran Zaev, mbrëmë në mitingun në Shtip u porositi qytetarëve se nëse e zgjedhin programin “Plani për Maqedoninë”, ata zgjedhin jetën në Maqedoni. Sipas tij, shteti do t’u ndihmojë firmave të sigurojnë rrogë dinjitoze për punëtorët, ndërsa siguron që do të ketë  shoqëri të drejtë dhe korrekte. 
 
Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, tha se siguron jetë për të gjithë qytetarët në Maqedoni dhe kushte për kthimin e të rinjve në vendin e tyre. Ai u bëri thirrje qytetarëve t’i shikojnë procedurat e pushtetit aktual dhe të bëjnë dallim çfarë qeverie kanë, çfarë dëshirojnë dhe të përfshihen në ndryshimet për jetë në Maqedoni.
 
“Këtu jam që t’ju porosis juve, punëtorëve të tekstilit dhe lëkurës, se rrogën minimale do ta rrisim në 12.000 denarë që në katër muajt e parë dhe ajo do jetë e njëjtë për të gjithë të punësuarit. Nga prilli, ju, punëtorët e tekstilit dhe lëkurës, si dhe të gjithë punëtorët tjerë do të merrni rrogë më të lartë minimale dhe ajo do të jetë më e lartë për të gjithë, ndërsa nga fundi i mandatit rroga minimale do të jetë 16.000 denarë. Kur do të zgjidhni jetë në Maqedoni, ju i përkrahni këto pesë pikat e rëndësishme, të cilat jetën do t’ua ndërrojnë për të mirë. E para, do të merrni rroga më të larta. Rroga minimale deri në 16.000 denarë, për të gjithë, por qëllimi ynë është rroga mesatare deri 30.000 denarë. Ky është qëllimi ynë kryesor. E dyta, firmat e vendit financiarisht do t’i përkrahim me 140 milionë euro. Kjo është 100 herë më shumë se tani. Ashtu do të hapen vende të reja të punës, ashtu të rinjtë do të mund të punojnë këtu. E treta, të gjitha paratë do t’i orientojmë ndaj qytetarëve. Secilit prej jush do t’ia kthejmë nga 15 për qind nga tatimi i paguar. Katër, institucionet do të punojnë vetëm për qytetarët. Pesë, do të ketë drejtësi”,- deklaroi kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
 
Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, tha se do të vendosin shëndetësi cilësore, do te ndërtojnë spitalin klinik, të cilin e premton VMRO-DPMNE-ja nga viti 2006, do të ndërtojnë ambulanca dhe spitale sipas nevojave të qytetarëve. Ai potencoi se në planin për Maqedoninë parashikohet rritje e dyfishtë e rrogave të nëpunësve në shëndetësi deri nga fundi i mandatit, ndërsa mjekët specialistë do të marrin nga 100.000 denarë rrogë, me çka ata do të mbeten dhe do të kujdesen për shëndetin e qytetarëve. 
 
Bartësi i listës së kandidatëve në njësinë e tretë zgjedhore, Lupço Nikollovski, paralajmëroi se Shtipi do të gazifikohet sipas shembullit të Strumicës dhe Kumanovës, do të miratohet Ligji për punëtorët falimentues dhe me kohë do të paguhen subvencionet për bujqit.
 
REJHANE BUSHI-METAJ