20 vite nga vdekja e Ayrton Sennas
Mendime dhe fjalë që dolën nga goja e Ayrton Sennas, i cili edhe pas 20 viteve mungesë, vazhdon të qëndrojë pranë njerëzve të tij të afërt, tifozëve dhe sportit të Formula 1 me dashurinë dhe talentin që rrezatonte……
“Mund të jesh një njeri i mirë në jetë por nëse nuk je i mirë edhe në sportin tonë atëherë nuk fiton asgjë”. Mendime dhe fjalë që dolën nga goja e Ayrton Sennas, i cili edhe pas 20 viteve mungesë, vazhdon të qëndrojë pranë njerëzve të tij të afërt, tifozëve dhe sportit të Formula 1 me dashurinë dhe talentin që rrezatonte.
I ndjeshëm, njeri me zemër të madhe dhe një pilot i pamëshirshëm me kundërshtarët. I tillë ishte braziliani magjik që ndërroi jetë plot 20 vjet më parë në atë kthesë të mallkuar në Imola. Braziliani që e nisi karrierën me skuadrën Toleman ra në sy gjatë garës së Monacos dhe në vitin 1985 nënshkroi një kontratë me Lotus, duke i dhuruar kësaj skuadre edhe periudhën e fundit të lavdishme në historinë e saj.
Në vitin 1988 u bashkua me McLaren ku gjeti ndoshta rivalin më të madh të karrierës së tij, Alain Prost.
Ata kaluan së bashku dy sezone dramatike por më pas rivaliteti u bë edhe më i ashpër me kalimin e francezit te Ferrari. Karriera e tre herë kampionit të botës te McLaren përfundoi në vitin 1993, ndërsa një vit më pas u transferua te Williams, skuadër me të cilën u ndal përfundimisht nga vdekja në garën e tretë të sezonit që u zhvillua në Imola të San Marinos.
Saktësisht 2 dekada më parë, kaska e Sennas u përkul në anë dhe ndihma e shpejtë paralajmëroi një dramë. Që prej asaj dite, Formula 1 nuk është më si më parë sepse vdekja e legjendës shërbeu për një revolucion të vërtetë në aspektin e sigurisë së makinave. 20 vjet që Senna nuk është më, mbi varrin e tij qëndrojnë si mon ument fjalët: “Asgjë nuk mund të më ndajë nga dashuria e Zotit”.