Maqedoni

Raportet financiare për 10 ditë fushatë, te shqiptarët më shumë shpenzime BDI dhe BESA

02.12.2016 14:55

Në Komisionin Shtetëror Zgjedhor brenda afatit ligjor, që skadoi në mesnatë...

Në Komisionin Shtetëror Zgjedhor brenda afatit ligjor, që skadoi në mesnatë, të gjitha koalicionet dhe partitë pjesëmarrëse në zgjedhjet e 11 dhjetorit dorëzuan raportin e parë financiar për të ardhurat dhe shpenzimet prej 21 deri më 30 nëntor. 
 
Sipas raportit financiar, Koalicioni i kryesuar nga VMRO-DPMNE ka paraqitur shpenzime prej 43 milionë e 961 mijë e 384 denarë. Opozita e bashkuar e kryesuar nga LSDM, ka paraqitur shpenzime prej 19 milionë e 683 mijë e 894 denarë.
 
BDI si shpenzime ka paraqitur 5 milionë e 336 mijë e 95 denarë. PDSh ka paraqitur gjithsej shpenzime prej 433 mijë e 840 denarë. BESA në raportin financiar ka paraqitur 4 milionë e 725 mijë e 217 denarë.Koalicioni “Aleanca për Shqiptarët” si shpenzime ka paraqitur 893.519 denarë. Partia për Prosperitet Demokratik ka shpenzuar 262 mijë e 761 denarë. “Koalicioni për Drejtësi dhe Ndryshime” – Blloku i Tretë ka bërë shpenzime të përgjithshme prej 1 milion e 559 mijë e 635 denarë. Partia Liberale ka shpenzuar 477 mijë e 811 denarë. Koalicioni “VMRO për Maqedoni” si shpenzime ka paraqitur 2 milionë e 848 mijë e 970 denarë dhe “E Majta” ka paraqitur shpenzime prej 81 mijë e 354 denarësh.
 
Disa nga partitë kanë cekur se raportet përveç në KShZ i kanë parashtruar edhe në Revizionin shtetëror dhe Komisionin për parandalim të korrupsionit. Gjithashtu më së voni deri më 26 dhjetor, koalicionet dhe partitë janë të obliguara menjëherë ose më së voni në afat prej 30 ditëve nga dita e mbylljes së llogarisë së transaksionit të dorëzojnë raport të përgjithshëm financiar për fushatën zgjedhore. 
 
 
GAZMEND REXHEPI