Maqedoni
Migrimi, ekspertët: Ballkani po ndjen efektet nga ”ikja e trurit”
02.12.2016 15:12
Shkaqet për migrim të qytetarëve të Ballkanit perëndimor janë të shumta, por shqetësues është fakti që së fundmi po largohen edhe shumë profesionistë të diplomuar...

Kështu vlerësuan studiues nga vendi dhe rajoni në konferencën e katërt ndërkombëtare të organizuar nga Universiteti i Tetovës dhe Universiteti “Haxhi Zeka” nga Peja.
“Një dukuri e fundit është e ashtuquajtura “ikje e trurit”, që nënkupton se kuadrot me përgatitje të larta shkollore, si mjekë, inxhinierë, programues dhe specialistë të fushave tjera për çdo ditë bëjnë braktisjen e shteti të tyre. Nëse vazhdon ky ritëm, gjitha shtetet në Ballkanin Perëndimor si dhe Maqedonia do të ndeshen me mungesë të fuqisë punëtore”,- deklaroi koordinatori i projektit, Etem Iseni.
“Të gjitha vendet evropiane do të ballafaqohen me trend të ngjashëm demografik në të ardhmen e afërt. Si faktor tjetër vlen të theksohet e dhe niveli i zhvillimit ekonomik i vendit dhe i rajonit”,- tha dekani i Fakultetit Ekonomik në UT, Raman Ismaili.
Rektori i Universitet “Haxhi Zeka” tha se konferencat shkencore kanë rëndësi të madhe për universitetet dhe studiuesit.
“Shkëmbehen mendimet, shkëmbehen idetë, njoftohen shkencëtarët njëri me tjetrin, shkëmbejmë literaturën dhe çdo njëri e sheh veten ku është dhe çka duhet të bëjë”,- u shpreh rektori i Universitetit “Haxhi Zeka”-Pejë, Fadil Millaku.
Në fund të konferencës u promovua edhe revista ekonomike “Vizioni ekonomik”, e cila përmbledh punimet shkencore nga konferencat e kaluara.
VISAR SADIKI
