Maqedoni
BDI: ujësjellësi në Pollog, ujë për mbi 100 mijë banorë
02.12.2016 17:19
Kandidatët e Bashkimit Demokratik për Integrim të njësisë së 6 zgjedhore promovuan projektin për ndërtimin e ujësjellësit rajonal...

Kandidatët e Bashkimit Demokratik për Integrim të njësisë së 6 zgjedhore promovuan projektin për ndërtimin e ujësjellësit rajonal, i cili do të përshkojë zonën e Pollogut.
Kandidatët për deputetë bashkë me ministrin e Ambientit Jetësor, Bashkim Ametin, dhe kryetarët e komunave të Zhelinës, Bogovinës, Bërvenicës e Vrapçishtit, njoftuan se përmes projektit në fjalë do të shtohet fuqia furnizuese me ujë të pijshëm dhe cilësor për të gjithë zonën e Pollogut.
Projekti ndërlidhet me zotimet e BDI-së për zhvillim të barabartë ekonomik, me qëllim të ngritjes së standardit jetësor të qytetarëve.
“Shpresojmë se projektin ta shtyjmë drejtë realizimit sa më parë, ky nuk është thjesht premtim parazgjedhor, pasi që BDI-ja çka ka premtuar e ka realizuar. Theks të veçantë do t'i japim bashkëpunimit mes pushtetit lokal e atij qendror, që ky projekt të realizohet sa më parë në mandatin e ardhshëm”,- tha kandidatja për deputete në njësinë zgjedhore gjashtë nga BDI, Shpresa Hadri.
Sipas BDI-së, edhe pse rajonit nuk i mungon uji i pijshëm, ky projekt bindshëm do ta përmirësojë cilësinë e tij, por edhe do t'i kënaqë nevojat e popullatës, duke e pasur parasysh dendësinë në këtë rajon.
“Me këtë projekt do të sigurohet sasi e mjaftueshme uji për mbi 100 mijë banorë të këtyre komunave, sasi kjo me cilësi të mirë, duke e pasur parasysh prej ku do të sillet ai ujë”,- theksoi ministri i Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Bashkim Ameti.
Ujësjellësi për furnizim me ujë të Pollogut është pjesë e platformës ekonomike të BDI-së.
Ai ka vlerën prej 15 milionë euro dhe parashikohet të përfundojë gjatë mandatit të ardhshëm, me financim nga buxheti qendror në bashkëpunim me atë komunal
ERSAN PAJAZITI
