Maqedoni
Fëmijët me nevoja të posaçme, AP: Të mos diskriminohen në sistemin arsimor; UNICEF: Të jenë pjesë e integruar e arsimit
02.12.2016 17:38
Zyra e Avokatit të Popullit dhe UNICEF prezantuan raportin nga hulumtimi për përfshirjen e fëmijëve me nevoja të posaçme në arsimin e rregullt...

Avokati i Popullit thotë se sistemi arsimor për këtë kategori fëmijësh nuk është funksional deri në fund, mungojnë kushtet dhe kjo bën që këta fëmijë të ndjehen të diskriminuar.
“Fëmijët me nevoja të posaçme të mos jenë të diskriminuar, të mos jenë të veçuar, të mos trajtohen vetëm në aspekt mjekësor, por të mund të ndjekin arsimin fillor me moshatarët e tyre, vetëm në këtë mënyrë mund të kemi sistem kompatibil të harmonizuar dhe mund të flasim për inkluzivitet, përndryshe është e kotë”,- u shpreh avokati i popullit, Ixhet Memeti.
Nga UNICEF thonë se çdo fëmijë ka të drejtë në arsim cilësor, i cili i siguron mundësi për zhvillim optimal.
“Arsimi inkluziv është mënyrë e edukimit. Të gjithë duhet të punojnë për kyçjen e të gjithë nxënësve. Inkluziviteti i nxënësve me nevoja të posaçme nuk duhet konsideruar si punë shtesë e shkollave, por si pjesë e integruar e arsimit”,- tha zëvendëspërfaqësuesi i Zyrës së UNICEF-it, Elspet Erikson.
Avokati i popullit është përgjigjur edhe për përfshirjen e fëmijëve në fushatën zgjedhore. Deri tani, sipas tij, është shënuar vetëm një rast i tillë.
“Përderisa zgjat kampanja, kemi trajtuar vetëm një rast në një shkollë, bëhet fjalë për një parti politike e cila ka shfrytëzuar kohën kur nxënësit kanë qenë në pushim dhe kanë bërë takim partiak parazgjedhor në oborrin e shkollës”,- theksoi avokati i popullit, Ixhet Memeti.
Memeti thotë se për këtë rast është kërkuar nga institucionet që të veprojnë sipas ligjeve, ndërsa nga partitë politike që të mos ndërmarrin aktivitete të tilla në shkolla. “Fëmijët të mos keqpërdoren nga partitë”,- porositi avokati i popullit.
GAZMEND KURTISHI
