Maqedoni

Thaçi: rigjykim për “Kumanovën”, “Monstrën” dhe “Sopotin”

02.12.2016 17:55

Reformë në gjyqësor dhe rigjykim për rastin e “Kumanovës”, “Monstrën” dhe “Sopotin”...

Ishte ky premtimi i kreut të Partisë Demokratike Shqiptare, Mendu Thaçit, gjatë tubimit në Mateç të Kumanovës.
 
Sipas Thaçit, gjyqësori në Maqedoni është i kapur nga ekzekutivi, ndërsa rastet e tilla janë të montuara dhe kanë për qëllim të nxijnë shqiptarët. Ai u zotua se me projektin e PDSh-së dhe Ligjin për amnisti do të zbraz burgjet e mbingarkuara me shqiptarë.
 
Për të arritur këtë qëllim, ai kërkoi votën e shqiptarëve, sepse projekti i tij veç më ka mbështetjen e faktorit ndërkombëtar.    
 
“Ne kemi një mbështetje të madhe, një mirëkuptim të madh prej këtyre faktorëve jashtëzakonisht të rëndësishëm për këtë projekt dhe për këtë program. Si popull shpeshherë na bëjnë eksperiment për të keqen. Fatkeqësisht, ngjarjet që ndodhën në Kumanovë, me ndihmën e disa shqiptarëve që janë në qeverisje, u bënë eksperiment për të keqen. Këta djem të fuqishëm dhe të fortë që  dëshmuan në disa luftëra në Kosovë, u vendosën në një kurth për të dëshmuar se qeveria e Ali Ahmetit dhe Gruevskit qenkan shumë të fuqishme dhe garantokan stabilitetin. Këta djem dhe këta krejt që janë të lidhur me këtë rast duhet të lirohen me urgjencë dhe rasti i “Kumanovës” duhet të kalojë në rigjykim. Por rigjykimi nuk do të bëhet me këta gjykatës të korruptuar dhe të kapur politikisht. Por rigjykimi do të bëhet atëherë kur ne si PDSh do të arrijmë që të sjellim Ligjin e reformës në drejtësi. Të gjithë gjykatësit do të kalojnë në sistemin e rëntgenit, jo para PDSh-së, para bashkësisë ndërkombëtare, para amerikanëve dhe para evropianëve, dhe ata që nuk varen prej politikanëve të tillë që e bënë këtë rast do të arrijnë që ta bëjnë rigjykimin e rastit të “Kumanovës”. Edhe për “Sopotin”, edhe për “Mostrën”, edhe për raste të tjera...”,- tha kryetari i PDSh-së, Mendu Thaçi.
 
Veç rasteve të pretenduara për të montuara, Thaçi tha se do të ketë edhe amnisti të përnjëhershme për shumicën e të burgosurve shqiptarë, të cilët janë të dënuar me dënime drakonike për kundërvajtje, por amnistia nuk do të vlejë për ata që janë të përfshirë në krim të organizuar.
 
“PDSh do të luftojë ashpër trafikimin e drogës, trafikimin me qenie njerëzore dhe vrasjet”,- theksoi Thaçi. 
 
Sa i takon planit ekonomik, Thaçi promovoi taksën progresive. Sipas tij, gjithë kapitalin shtetëror e kanë privatizuar maqedonasit, rreth 99.2%, dhe miliarderë janë krijuar te maqedonasit, ndërsa nga ky privatizim rreth 40% e shqiptarëve kanë ngel pa punë.
 
“Shteti, për të vendosur barazi, ua vendos taksën 75% miliarderëve maqedonas që ajo taksë të vijë dhe ta rregullojë cilësinë e jetës së shqiptarëve”,- u shpreh Thaçi.    
 
“Ky 1.7 miliardë euro duhet të vijë në zonat e shqiptarëve. Nuk nxirret komuna e Likovës dhe Kumanova prej kësaj balte, prej këtij lloçi, që fatmirësisht sonte është shumë ftohtë dhe ishte ngri, se gjithçka ishte me lloç, prej Nikushtaku në Mateç, gjithçka dukej se ishte shumë keq. Kjo zonë nxirret prej krize kur ata të cilët e marrin përsipër qeverisjen si shqiptarë sjellin në komunën e Likovës për një vit 100 milionë euro prej shtetit. Kot është kjo që vijnë e premtojnë lloj-lloj kryetarë komunash se do të bëjmë këtë apo atë. Nuk ndodh kjo pa ardhur paratë e shtetit te shqiptarët,”- tha kryetari i PDSh-së, Mendu Thaçi. 
 
Edhe bartësi i listës për deputetë në njësinë zgjedhore numër dy të kësaj partie, Orhan Ibrahimi, tha se diskriminimi ekonomik ka bërë që qindra mijë shqiptarë të lëshojnë vendbanimet e tyre. Për këtë ai fajësoi oponentët politik në qeverisje. 
 
“Sipas Bankës Botërore, kanë ikur prej Maqedonie 280 000 shqiptarë. Sërish sipas Bankës Botërore, vetëm prej gurbetqarëve hyjnë dy miliardë euro, prej të cilave 300 milionë euro në buxhet, janë 1.5 miliardë euro që ua falim maqedonasve çdo vit. Për atë arsye 58 000 maqedonas sot janë punësuar në zonat e lira ekonomike. Asnjë vend pune në komunë të Likovës. Asnjë vend pune në Shkup, rajon dhe Kumanovë. Kjo është dora fatkeqe e Ali Ahmetit që paratë tona i tregton dhe ua jep maqedonasve. Nuk guxon një popull të zhgënjehet, por të shqetësohet për fëmijët, për ardhmërinë e tyre. Populli që shqetësohet organizohet dhe reziston siç e ka PDSh-në. 11 dhjetori është shansi i madh që ta ndalni këtë të keqe që na e servon këto 15 vite Aliu dhe bandat e tij”,- u shpreh bartësi i listës në njësinë zgjedhore dy nga PDSh, Orhan Ibrahimi. 
 
PDSh ndër të tjera ofron edhe amnistinë fiskale, apo faljen e borxheve, pasi vlerëson se shteti u ka borxh shqiptarëve 1.7 miliardë euro në nivel vjetor, para buxheti që nuk kthehen te shqiptarët, por shkojnë në vendbanime me shumicë maqedonase. 
 
Realizimi i të drejtave politike parashihet të bëhet përmes vendimmarrjes në institucione me mekanizmin e vetos.
 
Kreu i PDSh-së kërkoi votë kundër partive në pushtet, pasi, siç tha, këtë kërkon Perëndimi dhe se shqiptarët duke i dënuar me votë sërish vendosin të jenë aleatë të ShBA-ve dhe Evropës.   
 
SHPËTIM NUREDINI