Maqedoni
Ahmeti: BDI di të mbrojë kauzën shqiptare
02.12.2016 18:47
Në kuadër të fushatës zgjedhore, Bashkimi Demokratik për Integrim ka prezantuar platformën e saj para banorëve të Dibrës...

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, dibranëve u tha se subjekti që drejton ai është forca më e organizuar politike, e cila di të mbrojë kauzën shqiptare dhe di të përballet me të gjitha sfidat dhe të realizojë interesat e shqiptarëve në Maqedoni.
Ai gjithashtu tha se nuk dyshon në fitoren e BDI-së, por, sipas tij, ajo që është më me rëndësi është se vendin e presin shumë çështje të vështira dhe njëkohësisht të rëndësishme, të cilat do të pasojnë pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit.
“BDI ka qenë dhe mbetet forca më e organizuar, dhe forca më përfaqësuese, dhe forca që di të mbrojë kauzën shqiptare në këtë vend. BDI është forca që di të përballet edhe me të djallëzuarit, ata të lyer me uthull e vaj, por di të përballet edhe me ata të cilët kanë argumentet në duart e tyre. Unë nuk dyshoj në fitoren e BDI-së, unë nuk brengosem për një fitore të BDI-së, çështja shtrohet kush do të jetë puna jonë më 12 dhjetor? Para nesh ka një agjendë aq të ngarkuar, vërtet para nesh ka një agjendë aq serioze, që do vendime të mëdha”,- deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Negociatat pas zgjedhjeve midis forcave politike Ahmeti i ka cilësuar si më të vështirat për 14 vitet të fundit të cilat duhet të zhvillohen, sepse, sipas tij, vendimet që do të merren duhet të prodhojnë më shumë siguri, më shumë stabilitet dhe marrëdhënie më të mira ndëretnike midis shqiptarëve dhe maqedonasve, si dy komunitete të cilat mbajnë përgjegjësi për të gjitha proceset në vend.
Anëtarësimi i Maqedonisë në NATO është një çështje emergjente dhe koha nuk pret, tha Ahmeti.
Ne kërkojmë që të jemi pjesë e institucioneve euroatlantike, ndërsa Brukseli nga ne kërkon më shumë përgjegjësi në drejtim të përmbushjes së reformave, shtoi ai, ndërsa ka përsëritur qëndrimin e tij se rruga e vetme për Maqedoninë mbetet rruga euroatlantike.
“Më 11 dhjetor çdo votues vendos për të ardhmen e vet, vendos për të ardhmen se nga do të shkojmë ne. Ne kemi vetëm një rrugë, rruga jonë është rruga euroatlantike, ajo na siguron më shumë paqe, më shumë stabilitet, më shumë investime... Pavarësisht, nga një mandat i përgjysmuar ne vërtet siguruam klimë dhe siguri për të gjithë ata investitorë gjigantë që janë vendosur në Zonën e Lirë Ekonomike të Tetovës, të Strugës e Kërçovës”,- u shpreh kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Ahmeti foli edhe për marrëveshjen e arritur në Përzhinë midis forcave më të mëdha politike në vend, e cila, sipas tij, nuk ka lejuar vendin të shndërrohet në anarki, por ka ndihmuar që Maqedonia të kthehet në binarët e duhur, duke i organizuar zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Duke folur për të arriturat në mandatin e kaluar, Ali Ahmeti ftoi dibranët që të mbështesin programin e subjektit që drejton ai në mënyrë që të mos ndalet hovi, siç tha ai, i progresit që ka shënuar gjatë mandatit të kaluar.
Ai i ftoi dibranët që të përkrahin kuadrot e BDI-së, sepse, sipas tij, ata kanë kapacitet dhe dinë të drejtojnë me projekte që do të jenë në dobi të tyre.
Ndërkohë, bartësi i listës në njësinë zgjedhore numër pesë, Agim Shaqiri, para dibranëve tha se BDI është forca që bashkon ata drejt realizimit të interesave të tyre. Ai dibranëve u ka premtuar se do të angazhohet për ndërtimin e Rrugës së Arbërit, e cila lidh Shkupin me Tiranën. Në këtë mënyrë, sipas tij, shkon në vend amaneti i të parëve.
“Politikë lokale e drejtë dhe e bashkuar në Dibër ka bërë që Dibra të ndryshojë dhe të avancojë në infrastrukturë. Në perspektivë, në afat të shkurtër, ne si parti politike do të kemi raste më të mira që Dibrës t’i mundësohet një arterie infrastrukturore, si ajo Rruga e Arbrit, që do ta lidhë Tiranën me Shkupin. Besoj se atëherë do ta themi me plot gojë se amanetet e të parëve tanë po i plotësojmë, duke i lidhur qytetet shqiptare me metropolet shqiptare. Kam besim të pilotë se politikat e BDI-së janë veprime konkrete vendime dhe suksese të kombit tonë”,- theksoi bartësi i listës në njësinë e pestë zgjedhore nga BDI, Agim Shaqiri.
Para dibranëve foli edhe shefi i shtabit qendror, Bekim Neziri. Ai ftoi elektoratin dibran që të mbështesin programin e BDI-së, pasi që, sipas tij, nuk ka forcë tjetër politike që mund ta fitojë atë.
"Ky numër tregon qartë se ata që nuk dëshirojnë të shijojnë humbjen më datën 11 dhjetor, le të radhiten pas liderit, Ali Ahmeti”,- tha shefi i shtabit zgjedhor të BDI-së, Bekim Neziri.
Ndërkohë, të pranishmëve iu drejtua edhe kryetari i komunës së Dibrës, Ruzhdi Lata.
Ai përpara dibranëve tha se Dibra ka qenë dhe do të mbetet palca e kombit shqiptar, ndërsa dibranët këtë radhë do ë dëshmojnë se janë me BDI-së.
Ai gjithashtu u zotua se kuadrot drejtuese të BDI-së do të marrin mbi shpatullat e tyre realizimin e kërkesave të popullit shqiptar.
NAIM RAMDANI
