Itali, referendum që shihet si një “Brexit” i ri

03.12.2016 13:28

Italianët do të votojnë më 4 dhjetor në një referendum, i cili mund të testojë ndjenjën anti-BE në Itali....

Në referendum, italianët do të miratojnë ose jo një propozim të kryeministrit pro-evropian, Matteo Renzi, për të rritur pushtetin e tij, në mënyrë që të mund të ecë përpara me reformat ekonomike.

Partitë anti-BE u bëjnë thirrje italianëve që të votojnë me “Jo”, me shpresë për të shkarkuar Renzin nga posti dhe për t’i hapur rrugën daljes së Italisë nga Eurozona apo edhe Bashkimi Evropian.

Referendumi i 4 dhjetorit nuk është drejtpërdrejt për BE-në. Ai ka të bëjë me rritjen e fuqive ekzekutive të kryeministrit, duke i kufizuar fuqinë Senatit, ku Renzi ka hasur në rezistencë për reformat që shpreson se do ta forconin ekonominë italiane.

Nëse kampi ‘Jo’ mbizotëron, fitorja më e madhe do të jetë e kampit populist anti-BE”, ka deklaruar Giovanni Orsina, profesor i historisë politike në Universitetin Luiss në Romë.

Sondazhi i fundit i opinionit, i kryer përpara një moratoriumi të detyrueshëm, tri javë para datës së referendumit, ka treguar se kampi “Jo” udhëheq me një mesatare prej 4 deri në 5 për qind. Vëzhguesit thonë se partitë populiste – Lëvizja Pesë Yjet dhe Liga Veriore – janë duke goditur te pakënaqësitë e italianëve. Vetë lëvizja anti-BE e Italisë është e ndarë.

Lëvizja Pesë Yjet, me rreth 30 për qind të mbështetjes popullore, ofron italianë edhe me prirje të djathta, edhe me të majta, pasi kërkon referendum për euron, por jo për largimin nga Bashkimi Evropian.

Liga Veriore, parti e ekstremit të djathtë, me rreth 12 për qind mbështetje, është nacionaliste e ashpër, anti-migrante dhe zotohet se do ta nxjerrë Italinë nga BE-ja.

Dy partitë, deri më tash, nuk kanë dhënë indikacione se do të punojnë së bashku. Italia është ekonomia e tretë më e madhe e BE-së, pas Gjermanisë dhe Francës, andaj shumë ekonomistë thonë se largimi eventual i Italisë, qoftë nga euro, qoftë nga BE-ja, do të ishte goditje vdekjeprurëse për unionin.