Siri, 14 të vrarë nga sulmet ajrore në Idlib

04.12.2016 17:29

Së paku 14 persona janë vrarë të dielen në një seri sulmesh ajrore...

Së paku 14 persona janë vrarë të dielen në një seri sulmesh ajrore në krahinën veriperëndimore siriane të Idlibit, njofton organizata Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut.

Kjo organizatë thotë se sulmet ajrore e kanë goditur qytezën, Maaret al-Numan, ndërsa sulmet duket se janë kryer nga aeroplanët rusë. Idlibi kryesisht mbahet nën kontroll nga një koalicion i rebelëve që përfshinë edhe grupin ekstremist, Jabhat Fateh al Sham i njohur më parë me emrin Fronti Al Nusra, një degë e Al Kaidës siriane.

Sulmet janë kryer në një kohë kur qeveria ka intensifikuar ofenzivën në zonat që po kontrollohen nga rebelët në Alepo. Zëdhënësi i ushtrisë siriane i ka deklaruar se ushtria është duke iu ofruar luftetarëve rebelë mundësinë që të largohen nga qyteti lindor, Alepo i rrethuar nga forcat qeveritare.

Samir Suleiman është cituar duke thënë se ata që vendosin të qëndrojnë, e zgjedhin “vdekjen e pashmangshme”.

“Ne do të vazhdojmë të luftojmë derisa të kthejmë stabilitetin dhe sigurinë në të gjitha lagjet” e Alepos, përfshirë edhe qarkun historik të Alepos së vjetër”, ka thënë Suleiman.

Alepo Lindore ka qenë e rrethuar nga forcat qeveritare prej muajit korrik, ndërsa zona është përballur me mungesë të ushqimeve, naftës dhe furnizimeve mjekësore.