Pavlopulos: Veto për anëtarësimin e Maqedonisë në BE

04.12.2016 20:00

Presidenti i Greqisë, Prokopis Pavlopulos...

Presidenti i Greqisë, Prokopis Pavlopulos, ka paralajmëruar edhe nëj herë  veto ndaj anëtarësimit të Maqedonisë në Bashkimin Europian.

Për sa kohë që Shkupi vazhdon në rrugën e rivendikimeve ndaj Greqisë, nuk do mund të ketë perspektivë europiane”, ka deklaruar Pavlopulos në një intervistë për televizionin publik grek, ERT, që u transmetua të dielën në mesditë.

“FYROM dëshiron që në një moment të anëtarësohet në Bashkimin Europian. A nuk e dimë që e drejta themelore europiane i imponon një vendi që bëhet anëtar i BE-së, të mos ketë pretendime rivendikuese ndaj një shteti tjetër anëtar? Kur mban një emër që nënkupton rivendikime, si mund ta pranosh? Më pyesin disa, përse thua veto? Iu përgjigjem se kjo veto është veto e një vendi europian që do të ftohet të vendosë nëse duhet që Shkupi të futet në BE. Vetoja është sepse Shkupi nuk përmbush standardet europiane. Dhe ky nuk është një qëndrim i Greqisë, por është një qëndrim europian. I themi Shkupit, për sa kohë vazhdoni në këtë rrugë, nuk mund të keni perspektivë europiane” – tha presidenti i Greqisë, Prokopis Pavlopulos.  

Megjithëse në intervistë Presidenti Grek ka folur për problemet aktuale që Greqia ka me fqinjët, është përqendruar vetëm tek ato me Turqinë dhe Maqedoninë, ndërsa nuk ka bërë asnjë referim për Shqipërinë, edhe pse raportet Athinë-Tiranë vazhdojnë të jenë të acaruara. (Migena Gorenca, TVM2)