Botë

Kaliforni, dhjetëra viktima nga zjarri në klubin e natës

05.12.2016 10:49

Dhjetëra njerëz dyshohet se kanë vdekur pas shpërthimit të një zjarri gjatë një nate shfrenuese në një magazinë të shndërruar në klub nate...

Dhjetëra njerëz dyshohet se kanë vdekur pas shpërthimit të një zjarri gjatë një nate shfrenuese në një magazinë të shndërruar në klub nate, në qytetin Oakland të Kalifornisë.
 
Autoritetet amerikane kanë konfirmuar deri tani 9 viktima, por bënë me dije se presin që bilanci makabër të arrijë në 40.
 
Sipas hetuesve, brenda ndërtesës gjendeshin nga 50 deri në 100 njerëz kur nisi zjarri.
 
Ende nuk dihen shkaqet e shpërthimit të zjarrit, por, sipas autoriteteve, besohet se bëhet fjalë për një aksident edhe për shkak të pakujdesisë apo mungesës së masave të sigurisë. 
 
Magazina, e njohur me nofkën “anija fantazmë” e Oaklandit, përdorej shpesh nga artistët për ekspozita apo performanca të ndryshme, madje disa prej tyre jetonin aty.