Marrëveshje për mbrojtjen e mjedisit, firmos vetëm opozita shqiptare

05.12.2016 16:25

Shoqata “Eko Guerilla” ftoi sot partitë që garojnë në njësinë e 6 zgjedhore të nënshkruajnë...

Shoqata “Eko Guerilla” ftoi sot partitë që garojnë në njësinë e 6 zgjedhore të nënshkruajnë marrëveshje paraprake me të cilën angazhohen për zgjidhjen e problemeve ekologjike në rajonin e Pollogut.

Kërkesat e “Eko Guerillës” janë: të zgjidhet problemi i deponisë në Tetovë dhe rajonin e Pollogut, të fillohet procedura për shndërrimin e Kazermës në park të qytetit  dhe të mos  lejohet që “Jugohrom” të fillojë punë pa vendosjen e filtrave, duke u gjetur një zgjidhje për të punësuarit gjatë kësaj periudhe. Kërkesat i nënshkruan vetëm partitë opozitare shqiptare.

“Të vetmit që nuk kanë nënshkruar dokumentin ngelën partitë VMRO dhe BDI, d.m.th. partnerët e koalicionit të tanishëm qeveritar. Mendoj se ky është një sinjal shumë i qartë për qytetarët e Tetovës, të cilët interes të parë kanë mbrojtjen e mjedisit. Ky dokument ne shpresojmë shumë se cila do qeveri e ardhshme që të jetë, të punojë më shumë për realizimin dhe mbrojtjen e mjedisit”,- deklaroi Arianit Xhaferi nga “Eko Guerilla”.

Pas nënshkrimit, kandidatët u zotuan se do të respektojnë këtë marrëveshje nëse do të jenë pjesë e qeverisjes së ardhshme.

“Besoj se do të përmbahemi në këto tre pika dhe pasi në mandatin tonë do të kemi si kryesore aspektin e ekologjisë, pasi e kemi edhe ne platformën politike pjesën e ekologjisë”,- u shpreh Visar Palloshi nga PDSh.

“Tre pikat e rëndësishme që i nënshkruam edhe si Lëvizja BESA dhe si aktivitet e kemi mbështet... Gëzohemi që kjo finalizohet me një nënshkrim që të jetë më oficiale dhe të jetë më serioze”,- theksoi Hazbi Mamuti nga Lëvizja BESA. 

“Ne me nënshkrimin që e bëmë sot me Lëvizjen qytetare “Eko Guerilla” do angazhohemi që me nënshkrimin e dhënë sot, ta vëmë në funksion deri në fund të kësaj marrëveshje”,- theksoi Arta Toçi nga “Aleanca për Shqiptarët”.

“Ne me shumë dëshirë dhe vullnet erdhëm, e nënshkruam këtë marrëveshje, këtë konventë dhe do t’i përmbahemi që të realizojmë në vepër këtë”,- tha Zejnullah Salihi nga PPD.

Me këtë marrëveshje, partitë angazhohen që në 6 muajt e parë të punojnë në tre pika kryesore sa i përket mbrojtjes dhe avancimit të mjedisit jetësor. (Visar Sadiki, TVM2)