Zaev: Vota juaj për një të ardhme më të mirë
LSDM në tubimin qendror mbrëmë në Shkup prezantoi platformën dhe kandidatët....

LSDM në tubimin qendror mbrëmë në Shkup prezantoi platformën dhe kandidatët për deputetë në 6 njësitë zgjedhore.
Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, para qytetarëve tha se vota e dhënë për Koalicionin “Për jetë në Maqedoni” është votë për një jetë më të mirë dhe një të ardhme më të ndritshme për të gjithë qytetarët.
Ai vlerësoi se zgjedhjet e 11 dhjetorit janë në fakt shpallja e pavarësisë së dytë e Maqedonisë, ku asnjë prej qytetarëve nuk duhet gabuar ose të ketë dilema se çfarë të ardhme dëshiron të ketë. Zaev gjithashtu u shpreh i bindur se Europa mund të sillet në Maqedoni.
“Po dëgjoj pyetjen se kush është më i mirë në këtë fushatë zgjedhore? Ju e dini përgjigjen e kësaj pyetje. Ju e dini se këto zgjedhje nuk janë zgjedhje të thjeshta, ose zgjedhje të LSDM-së apo të VMRO-DPMNE-së. Këto zgjedhje janë për ju, për të ardhmen e fëmijëve dhe familjeve tuaja, për jetën dhe të ardhmen e pasardhësit tuaj, këto zgjedhje janë e ardhmja jonë e përbashkët. Këto zgjedhje janë shkatërrim ose jetë për qytetarët. Nuk janë zgjedhje të thjeshta vetëm për të marrë pushtetin VMRO-DPMNE-ja ose LSDM-ja, prandaj edhe përgjegjësia jonë është shumë e madhe”,- deklaroi kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
Bartësi i listës në njësinë e parë zgjedhore, Stevo Pendarovski, në këtë tubim u shpreh i bindur se LSDM është fituesja e zgjedhjeve të 11 dhjetorit.
“Në 11 dhjetor është shumë më rendësi të fitojmë me diferencë të madhe para VMRO-së, ne na nevojitet të fitojmë legjitimitet të plotë që të mund t’i ndërmarrim të gjitha reformat e rëndësishme që do të rikthenin vendin në rrugë të drejtë. Këtë fitore të madhe mund ta pengojë vetëm mafia në largim prej pushtetit, por kësaj radhe ju drejtohem prej këtu, se nuk do t’u lejojmë të na e vjedhin fitoren”,- theksoi bartësi i listës në njësinë ZGJEDHORE një, Stevo Pendarovski.
Zaev në këtë tubim gjithashtu prezantoi platformën ekonomike dhe mënyrat e shumta të stimulimit të biznesit vendor, mbështetjen e kompanive të vogla dhe të mesme, subvencionet në bujqësi, rikthimin e 15 për qindëshit të TVSh-së për qytetarët, mjekim shëndetësor falas, si dhe hapjen e bizneseve të reja përmes kreditimit të sipërmarrësve me 10 mijë euro me vetëm 1% interes, si dhe hapësira pune falas për gjithë ata që do fillojnë biznes në vend.
Zaev tha se këto dhe shumë premtime të tjera të shkruara në platformën “Për jetë më të mirë” janë të realizueshme me anë të rikthimit të parave të vjedhura dhe përmes shkurtimit të shpenzimeve joproduktive të pushtetarëve në të ardhmen.
Zaev tha se Maqedonia mund dhe do të jetë vend i cili do të sigurojë të drejta të barabarta për të gjitha bashkësitë etnike dhe se do të zbatohet Kushtetuta dhe ligji në këtë vend. (Rexhep Qamili, TVM2)
