Maqedoni

Komisioni ad hoc: Shtatë padi për kundërvajtje për gjashtë televizione

05.12.2016 17:41

Komisioni i Përkohshëm për monitorimin e mediave vendosi për fillimin e procedurave gjyqësore për padi kundërvajtje për 7 shkelje të bëra nga gjashtë televizione...

Sipas komisionit ad hoc, ata nuk i kanë respektuar rregullat për reklamimin e partive politike. Janë ngritur dy padi për: TV Nova, nga një për TV21, Ultra, Nasha TV, Telma dhe për Tv Alfa.

Televizionet kanë emetuar reklama të paguara politike përgjatë edicionit të lajmeve, ndërsa në raste të tjera është tejkaluar koha për reklamim politik, që është i kufizuar me ligj.

Trupi ad hoc të premten nuk ka arritur të rishikojë raportin e javës së kaluar, i cili kishte propozim për tri akuza për kundërvajtje për shkak se anëtarët e VMRO-DPMNE-së, Cvetin Çilimanov dhe Slagjana Dimishkova, nuk ishin të pranishëm.

Nuk dihet nëse paditë e reja kundërvajtëse do të kenë epilog, pasi edhe pse trupi ad hoc deri tani ka ngritur një numër të madh të kërkesave për procedurë për kundërvajtje, gjykata për kundërvajtje nuk ka shqiptuar asnjë gjobë me para.