Maqedoni
Ahmeti: kauzën shqiptare e mbron BDI
06.12.2016 14:15
Bashkimi Demokratik për Integrim vazhdoi fushatën zgjedhore në Saraj të Shkupit...

Kreu i kësaj partie, Ali Ahmeti, para banorëve të Sarajit tha se BDI është angazhuar që njerëzit e sakrificës dhe që kanë ndryshuar historinë më të re të shqiptarëve të jenë bartës të institucioneve.
Kauzën shqiptare, tha Ahmeti, në këtë vend mund ta mbrojnë vetëm bijtë dhe bijat që janë pjesë e Bashkimit Demokratik për Integrim, e cila, sipas tij, ka për qëllim integrimin e shqiptarëve jo vetëm në Maqedoni, por edhe në rajon dhe më pas tërësisht edhe në Unionin e Bashkimit Europian.
“Kauzën shqiptare në këtë vend e mbrojnë mu bijtë dhe bijat që militojnë dhe janë bashkuar në këtë BDI, që për synim ka jo vetëm t’i integrojë shqiptarët në hapësirat ku ata jetojnë në RM, por t’i integrojë shqiptarët edhe në rajon, si në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni, të jetojmë pa kufi të hapur për njëri tjetrin, sepse jemi vëllezër të një gjuhe, të një gjaku dhe të një origjine. Ky zë është parim patriotik, sa është parim demokratik, po aq është edhe parim evropian, po aq është edhe standard europian, prandaj s’ka të drejtë askush as të hezitojë, por as të na e ndalë turrin drejt njësimit dhe integrimit të shqiptarëve në rajonin e Ballkanit perëndimorë dhe si Ballkan perëndimor tërësisht i integruar në Europën e bashkuar”,- deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, para elektoratit të Sarajit u përqendrua edhe në zhvillimin ekonomik të vendit.
Ai tha se patriotizmi më i madh tani mbetet të shikohet në përparimin e vendeve tona, të kemi ekonomi dhe arsim të përparuar, shëndetësi të avancuar dhe një jetë më të mirë se sa e kemi sot.
Këto mundësi, tha Ahmeti, i ka krijuar BDI me kuadro me përfaqësues të denjë nga të gjitha shtresat e shoqërisë.
Në këtë drejtim tha se vendin e presin punë të mëdha, ndërsa para të pranishmëve u zotua se do të përkrahë biznesin vendor, duke shprehur bindjen se afaristët shqiptarë do të kenë përparimin më të madh.
“Saraji kalon numrin e 3500 punëtorëve vetëm në sektorin privat, prandaj unë shumë hapur dhe me vendosmërinë më të lartë u kam thënë që përkrahjen do ta kenë, të gjitha benificionet që atyre u takojnë për të përparuar ekonominë e vendit, se vetëm kështu ne mund të ndalim hovin për të kërkuar rinia jonë perspektivë diku në vendet tjera të botës. Rinia jonë ka një atdhe dhe ai atdhe është ky”,- u shpreh kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Duke folur për zhvillimin ekonomik të vendit, Ahmeti tha se “kemi hequr Maqedoninë veriperëndimore nga hartat e rrezikut”.
Siç tha Ahmeti, “hapësirat shqiptare kanë qenë vrimë e zezë ku nuk kanë mundur të vijnë investitorët e huaj”.
“Këtë punë të madhe e kemi bërë me lëvizje të zgjuar politike dhe diplomatike”,- tha Ahmeti, duke shtuar se brenda katër muajve të fundit janë hapur mbi 2 mijë vende të punës nga fabrika që kanë ndërtuar investitorët amerikanë dhe gjermanë në Strugë, Kërçovë dhe Tetovë. Duke kërkuar votën e banorëve të Sarajit, Ahmeti tha se Bashkimi Demokratik për Integrim gjatë veprimit politik të saj është kujdesur edhe për përfaqësimin e gjinisë femërore. “Ne kemi pasur qasjen ndaj nënës shqiptare, që ajo të mos jetë vetëm një vegël për në shtëpi, por të dijë të udhëheqë edhe shtetin”,- tha Ahmeti.
Ndërkohë, bartësi i listës nga BDI në njësinë e parë zgjedhore, Artan Grubi, duke ftuar banorët e komunës së Sarajit, tha se liderit të BDI-së, Ali Ahmetit, i ka ra hise të bëjë ndryshime në kushtetutë, të zyrtarizojë flamurin, të hapë universitetin në gjuhën shqipe, të hapë vende të reja të punës dhe ta afrojë vendin pranë NATO-s dhe BE-së.
“I kishte ra hise Ali Ahmetit bashkë me shokë që bënë luftën dhe të ndryshojë Kushtetutën e Maqedonisë. I kishte ra hise Ali Ahmetit që të zyrtarizojë universitetin e parë në gjuhën shqipe në RM dhe nuk mbeti me kaq, por bëri edhe universitetin e dytë për ju banorët e Sarajit dhe për banorët e Çairit dhe për të gjithë banorët e Shkupit. Hisen të cilën e trashëgoi nga zërat që po i dilnin po nga ai bunarë, e shndërroi në Kërçovën shqiptare, në Shkupin shqiptar, në Strugën shqiptare. E zyrtarizoi flamurin, shndërroi një armatë të tërë 25 mijëshe në administratën shtetërore dhe publike”,- tha bartësi i listës në njësinë e parë zgjedhore nga BDI, Artan Grubi.
Para të pranishmëve foli edhe kandidatja për deputete nga kjo zonë, Lirie Elezi. Ajo tha se koha për një barazi dhe konsensualitet politik mes dy popujve në Maqedoni po ndodh dhe kjo është si rezultat i politikave progresive me rezultate konkrete.
“BDI në këto zgjedhje të parakohshme parlamentare ka platformën e saj që avancon edhe më shumë statusin juridiko-politik, aspektin social-ekonomik, si dhe proceset euroatlantike dhe eurointegruese. Saraji po thyen barrierat e izolimit rural në një dinamikë të madhe zhvillimore në më shumë dimensione të sferave arsimore kulturore dhe infrastrukturore”,- u shpreh kandidatja për deputete në njësinë zgjedhore një nga BDI, Lirie Elezi.
Shefi i shtabit zgjedhor të BDI-së, Bekim Neziri, kërkoi mobilizimin e aktivistëve të BDI-së që të sfidojnë rezultatin e vitit 2014. Ai ftoi ata që të mos e përçajnë votën e tyre, sepse, siç tha ai, dëmtohet procesi politik shqiptar dhe interesat kombëtare.
Sipas tij, shembull në vitin 2011 shqiptarët humbën mbi 50 mijë vota të cilat shkuan në favor të partive politike maqedonase, tha ai.
NAIM RAMADANI
