Maqedoni

Zaev: do të zbardhim rastet “Monstra” dhe “Kumanova”

06.12.2016 14:27

Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë mbajti tubim në Ohër, ku lideri i kësaj partie, Zoran Zaev...

Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë mbajti tubim në Ohër, ku lideri i kësaj partie, Zoran Zaev, akuzoi pushtetin se me qëllim e ka penguar rrugën euroatlantike të vendit vetëm për t’u pasuruar me paratë e buxhetit të cilat i kanë keqpërdorur vazhdimisht.
 
Zaev tha se Ligji në Maqedoni të vlejë njësoj për të gjithë, do të ketë shtet juridik funksional dhe kushte më të mira për jetë.
 
Zaev premtoi se e gjithë e vërteta do të zbardhet. Ai tha se nëse duam të jemi shtet, patjetër të zbardhet “Monstra”, “Lagja e Trimave”, vrasja e gazetarit Nikolla Mlladenov, vrasja e Martin Neshkovkit, e shumë të tjera. Ai edhe në këtë tubim premtoi rritje të pagës minimale, rritje të pagës mesatare, kthim të TVSh-së dhe ngritje të standardit të qytetarëve.
 
"Premtova dhe e kam për qëllim ta përmbush premtimin, ligji në Maqedoni do të vlejë për të gjithë njëlloj, do të ketë shtet ligjor dhe të gjithë ata që thyejnë ligjin, që kanë bërë vepra kriminale dhe korrupsion në këtë vend do të japin llogari, jo vetëm që do të përgjigjen për të gjitha, por edhe paratë e vjedhura do t’i kthejnë prapë. Qytetarët shqiptarë dhe qytetarët e bashkësive më të vogla etnike e kërkojnë të njëjtën si edhe maqedonasit, më shumë para për secilën familje, arsim të mirë, punë për të rinjtë, kufij të hapur, e jo njësi federale. Pres Maqedoni europiane, jetë me nder këtu, e jo nëpër botë. Maqedonia nuk mund të vazhdojë me të pavërteta dhe gënjeshtra, ju  premtoj se e gjithë e vërteta do të zbardhet deri në fund. Nuk mund të jemi shtet e të mos e dimë çfarë në të vërtetë ka ndodhur me Nikolla Mlladenovin, e të mos e dimë se kush i vrau katër djemtë e rinj në liqenin e Smillkovës, nuk mund të jemi shtet ku fshihet vrasësi i Martin Neshkovskit, nuk mund të presim të jemi shtet si ato europiane, e të mos zbulohet e gjithë e vërteta e Lagjes së Trimave. Kurrë më me gënjeshtra në Republikën e Maqedonisë. Unë e di se Gruevskit i dhemb koncepti që ne e zhvillojmë pasi e dëmton konceptin e patriotizmit të rrejshëm dhe nacionalizmit. Dhjetë vite presim se kush do të na sulmojë, nuk mund të jemi të armiqësuar edhe me Greqinë, Bullgarinë, Shqipërinë, Kosovën e Serbinë. Këtu diçka kundërmon, diçka nuk është në rregull”,- deklaroi kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
 
Në këtë rast, ai prezantoi një pjesë të masave që i planifikon koalicioni për kthimin e bashkëjetesës, rritje të pagës mesatare, ruajtjen e të rinjve këtu.
 
Para qytetarëve dhe simpatizantëve të Koalicionit të kryesuar nga LSDM, fjalim mbajti edhe bartësja e listës së kandidatëve në njësinë e pestë zgjedhore, Radmilla Shekerinska, e cila porositi se pushteti i ardhshëm do të ofrojë shanse të barabarta për të gjithë qytetarët, shëndetësi përkatëse, paqe, drejtësi, shoqëri të depolitizuar, dënime për krimin dhe shumë benificione të tjera për një “Maqedoni më të mirë”.
 
FARIJE DAUTI-BAKIJU