Maqedoni
Debat “Gratë, viktima të dhunës familjare”, ato shpesh shndërrohen në persona të pastrehë
06.12.2016 15:32
Gratë viktima të dhunës familjare janë kategoria më e ndjeshme që rrezikojnë të shndërrohen në persona të pastrehë...

Këtë në debatin kushtuar kësaj problematike e konfirmuan edhe rezultatet e hulumtimit të realizuar nga Asociacioni për hulumtim, komunikim dhe zhvillim.
“Kur bëhet fjalë për femrat e pastrehë, grupi më i rrezikuar që përballet me këtë problem janë gratë viktima të dhunës. Specifike te ne është shërbimet që i ofrojmë, përkatësisht nuk i ofrojmë në qendrat që kujdesen për këto gra. Lind pyetja çka pas daljes së grave nga këto qendra, ku mund të qëndrojnë tre muaj, me mundësi për të vazhduar edhe tre muaj tjera. Më pas në pamundësi që të përballen me situatën në të cilën ndodhen, kthehen te dhunuesit”,- deklaroi Klimentina Ilievski nga Asociacioni për hulumtim, komunikim dhe zhvillim.
Nga Qendra kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje vlerësojnë ngecjen e përkrahjes së grave viktima të dhunës në familje.
“Nuk ekzistojnë masa për punësim, nuk ekzistojnë masa për banim dhe në esencë gratë viktima të dhunës në familje janë lënë të gjinden të vetme”,- u shpreh Elena Dimushvska nga Rrjeti nacional kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje.
Në pamundësi për t’u përballur me një situatë të këtillë, këto femra janë të detyruara ose të vendosen në Qendrën për pranim të personave të pastrehë në Çiçino, ose të kërkojnë ndihmën e të afërmve.
Në bazë të anketës së realizuar nga Shoqata e familjeve me një prind, vetëm 15% e nënave vetushqyese kanë shtëpinë e tyre, rreth 70% jetojnë te prindërit, ndërsa pjesa tjetër jeton me qira, ose tek të afërmit.
VLORA LATIFI-TOPOJANI
