Maqedoni
Administrata dhe sundimi i së drejtës, Sindikata: Të ndryshohen ligjet për Administratë
06.12.2016 15:49
Sindikata e të punësuarve në Administratën publike dhe nëpunësit shtetërorë kërkojnë ndryshimin e dy ligjeve që kanë të bëjnë me këto sektorë...

Sipas kryetarit të Sindikatës të të punësuarve në Administratë, Peco Grujovski, ligjet janë miratuar me procedurë të përshpejtuar pa qenë të konsultuar dhe të njëjtat nuk janë të zbatueshme në praktikë.
“Mendoj se ka më shumë vendime kontestuese të këtij ligji, siç janë vlerësimi, mundësia që punëdhënësit të sundojnë me Administratën. Për ne si Sindikatë është e papranueshme që punëtori të humb vendin e punës, madje edhe me dy dysha, ashtu siç ekziston në ligj”,- deklaroi kryetari i Sindikatës së Administratës, Peco Grujovski.
Pjesë të Ligjit për nëpunës shtetërorë janë kontestuar para Gjykatës kushtetuese, pasi që nëpunësit shtetërorë janë të detyruar që të japin provimin e një gjuhe të huaj. Me këtë, sipas Qendrës për menaxhim me ndryshimet, shkelet Kushtetuta e Maqedonisë, duke pasur veprim retroaktiv.
“Nuk është e mjaftueshme që të punësuarit të kenë vetëm kualifikime të caktuara, por është e rëndësishme se çka mund të bëjnë të punësuarit në kuadër të Administratës publike. Kuptohet se kur bëhet fjalë për risi në vendimet ligjore, mund që të ndeshen me probleme në zbatimin e tyre praktik”,- tha Neda Malevska nga Qendra për menaxhimin me ndryshimet.
Tërheqja e ligjeve në fjalë është kërkuar edhe më herët, por arsyetimet e pushtetit kanë qenë se ligjet janë në përputhje me ligjet europiane. Nga Sindikata thonë se pas zgjedhjeve do të kërkohet nga qeveria e ardhshme të ulet dhe të bëjë ndryshime rrënjësore të këtyre ligjeve.
MERAL ISMAILI
